
Në Shqipëri ka shkuar në 10 numri i personave të prekur nga koronavirusi. Autoritetet e Shëndetësisë njoftuan sot pa mesditës për zbulimin e 4 rasteve të reja. Nga të gjithë peronat e prekur, 3 janë që nuk kanë lidhje me njëri tjetrin, ndërsa shtatë të tjerët janë të afërm ose familjarë të rastit të parë të zbuluar, 28 vjeçarit të kthyer nga Italia. Zëvendës ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, shpjegoi se deri më tani rezultojnë të shtruar në spital 4 persona, 3 në spitalin Infektiv në Tiranë dhe një në Durrës. Të tjerët janë në vetë-izolim.
Komiteti teknik, një strukturë e përbërë nga ekspertë u mblodh sërish pas mesditës, për të diskutuar nëse do të duhet të ndërmerren masa të reja shtesë. Ndërkohë në shumë qytete të vendit ka nisur disinfektimi i mjediseve publike. Ndërsa, sot u vendos pezullimi i çdo lloj fluturimi apo lidhjeje detare me Italinë, pas vendimit të mbrëmshëm të qeverisë italiane për ta konsideruar të gjithë territorin e saj në një zonë të prekur. Avioni i fundit drejt Romës u nis në orën 11.25 të ditës së sotme, ndërsa në mbrëmje do të nisen dhe tragetet e fundit drejt Barit dhe Brindizit. Kjo masë, siç shpjegoi ministrja e Infrastrukturës, prek vetëm transportin e pasagjerëve dhe jo atë të mallrave.
Ministria e Shëndetësisë përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve që “të ndjekin me kujdes rekomandimet zyrtare dhe të kujdesen posaçërisht për masat e higjienës personale. Për çdo rast të shfaqjes së shenjave të infeksionit respirator, si temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, sidomos për personat që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura apo kanë pasur kontakt me ta, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u lutet qytetarëve të lidhen me Urgjencën Kombëtare në nr. 127”.
Flet mjeku: E kemi vetë në dorë
Jemi vetëm në fillimet e epidemisë nga koronavirusi. Drejtues të grupit task-force i bënë thirrje popullatës që të ndryshojë sjelljet në të përditshmen e tyre: rrini në shtëpi, mos frekuentoni baret, restorantet, shmangni transportin publik dhe vendet me njerëz.
Skënder Brataj, drejtori i Urgjencës Kombëtare, tha: “Do të ketë shtim të numrit të të prekurve. Jemi në fillim të një epidemie. Si mund të parandalohet? Secili të qëndrojë në shtëpi dhe të bëjë gjërat e domosdoshme. Mos të shkojmë në bare e restorante”.
Edhe pse njerëzit në Tiranë nuk i kanë shmangur baret, grumbullimet dhe as transportin publik, përfaqësuesit e shëndetësisë deklaruan se vetëm ndërgjegjësimi i tyre mund të parandalojë përhapjen e virusit: “I lutem qytetarëve që të shmangim lëvizjet, duhet bashkëpunim”.
Deri tani, 10 rastet e prekura nuk rezultojnë në gjendje të rëndë, ndërsa po mbahen nën monitorim nga mjekët e Spitalit Infektiv.
Sherr me maska Rama-Basha
Kryetari i PD, Basha sulmoi ashpër qeverinë, pasi sipas tij, personeli shëndetësor po punon me maska të skaduara, duke rrezikuar jo vetëm jetën e tyre, por duke u bërë edhe burim i përhapjes së virusit te qytetarët. “Personeli shëndetësor rrezikon me maska të skaduara. Ata kthehen në viktimat e para dhe transmetues të virusit te qytetarët. Kjo është papërgjegjshmëri totale. Spitalet janë totalisht të papërgatitura për fluksin, e kam fjalën për ata që do kenë nevojë për trajtim në kushte spitalore. Kapacitetet aktuale nuk kalojnë 120 njësi të përgatitura për të trajtuar 120 të infektuar, që ju kërcënohet jeta. Kjo është kronikë e një dështimi”, tha Basha.
Kryedemokrati Lulzim Basha i bëri thirrje Kryeporkurorit Olsian Çela të nisë hetimet për maskat e skaduara, që siç pretendon PD, i janë shpërndarë personelit mjekësor nga ministria e Shëndetësisë.
Pas deklaratës së kryetarit të PD-së Lulzim Basha se maskat që përdorin mjekët kundër koronavirusit janë të skaduara, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një mesazhi në ‘Twitter’ duke u shprehur se maska të dëmshme në Shqipëri janë ata që ,s’ndalen së kërkuari pushtet me shpifje, sherr, rrëmujë. “Ka vetëm një palë maska të dëmshme në Shqipëri: Maskat e atyre që dhe kur ky vend lufton me jetën nën gërmadhat e tërmetit apo me një virus kërcënues për planetin, s’ndalen së kërkuari pushtet me shpifje,sherr,rrëmujë!Po përsëri Shqipëria do t’ia dalë sepse shqiptarët s’janë vetëm!” shkruan zoti Rama.
Kreu i PD-së Lulzim Basha, ka reaguar sërish ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili tha se maskat e skeduara janë një lajm shpifës dhe se lëndojnë dhe helmojnë mendjen e një populli të tërë. Ai i bëri ftesë opozitës dhe Presidentit Meta që të bashkojnë ekspertët dhe të punojnë për frenimin e koronavirusit. Por Basha e ka cilësuar këtë si një sulm ndaj opozitës dhe justifikime që qeveria përdor për të fshehur paaftësinë e saj. Basha kërkon që Rama të jap sqarime pse ka shpërndarë 1.2 milionë maska të skaduara.
‘Në vend që të sulmojë opozitën, Edi Rama duhet të japë llogari pse ka shpërndarë 1.2 milionë maska të skaduara? Gënjeshtrat dhe sulmet kundër opozitës nuk i shërbejnë as sigurisë dhe as jetës së shqiptarëve! Janë mijëra burra, gra dhe femijë që duhen mbrojtur. Boll me justifikime që fshehin dështimin, boll me gënjeshtra që fshehin paaftësinë, bëj detyrën dhe merr masa reale kundër epidemisë, për hir të gjithë shqiptarëve’, tha Basha.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





