
Sistemi i Drejtësisë vijon të mbetet i hapur, ndërsa vendimi i parë në lidhje me koronavirusin vjen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Ditën e sotme, KPK dhe KPA ka njoftuar se do të ndërpresin shërbimin e pritjes me qytetarët, me qëllim mbrojtjen e tyre.
Denoncimet, njofton KPK dhe KPA, mund të bëhen me anë të postës ose online. Një vendim i tillë vjen pasi në Shqipëri janë konfirmuar 6 raste me koronavirus.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se duke nisur nga data 9/3/2020 shërbimi i pritjes me qytetarët në ambientet e KPK-së do të ndërpritet. Kjo në kuadër të rritjes së masave parandaluese dhe për arsye të situatës së përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19 (Coronavirus i ri), me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Sqarojmë qytetarët se deri në një njoftim të dytë zyrtar nga Komisioni, denoncimet mund t’i dorëzojnë nëpërmjet postës zyrtare, ose mund t’i regjistrojnë online nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Komisionit kpk.al, rubrika “Denonco”. Ju falënderojmë për mirëkuptimin!”, thuhet në njoftimin e KPK./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





