
Qeveria italiane shpalli sonte në mbrëmje vendimin për të mbyllur totalisht Italinë duke e shpallur tërësisht zonë të kuqe.
Kryeministri Xhuzepe Konte tha se vendi është në situatë epidemie në kufijtë e pandemisë ndaj të gjithë duhet të tolerojnë diçka, siç tha ai, në të mirë të Italisë.
Xhuzepe Konte deklaroi se do të zbatohet parimi "Unë duhet të qëndroj në shtëpi", duke bllokuar çdo lëvizje nga vendi.
Kryeministri tha se me këtë dekret të paprecedentë po përpiqet të mbrojë jetën e të gjithëve.
Ai shtoi se janë parë sot pamje teksa njerëzit argëtohen duke shtuar se dekreti i ri që thellon kufizimet synon të ndalë lëvizje dhe grumbullime të tilla qoftë dhe argëtimi që mund të shërbejnë për të infektuar të tjerë njerëz.
Ky është dekreti i tretë që Konte ligjëron. Më i fundit pardje, bëri që pak orë para shpalljes, mijëra italianë të dynden për të ikur nga zona e kuqe lombarde. Me dekretin e ri, edhe ata janë të izoluar.
Dekreti sanksionon gjithashtu që askush nuk mund të qëndrojë më shumë se 1 metër pranë tjetrit. Dekreti përcakton se dyqanet, lokalet e njësitë e tjera, nëse nuk respektojnë parimin një metër distancë, do të mbyllen nga shteti.
Konte njoftoi se dekreti hyn në fuqi nesër në mëngjes e martë 10 mars 2020. Ndërkohë u shpall dhe shtyrja e shkollave të mbyllura deri më 3 prill që shënon shtyrjen e tretë raporton noa.al.
Edhe të gjitha aktivitetet e ndryshme publike dhe private janë ndërpretë plotësisht. Konte tha se duhet zbatuar maksimalisht parimi "Unë qëndroj në shtëpi".
Kjo është hera e parë në historinë e Italisë dhe atë botërore që një vend i tërë shpallet zonë e kuqe dhe mbyllet. /noa.al/
Arrin në 9172 numri i të prekurve me koronavirus në Itali, 463 të vdekur
Në Itali, 24 orët e fundit u regjistrua numri më i lartë i të infektuarve brenda një dite, me 1797 raste të reja.
Ndërkohë raportohet zyrtarisht vdekja e 97 personave në 24 orët e fundit.
Në total ka shkuar në 9172 numri i personave të prekur me koronavirus në Itali.
Kurse ka shkuar në 463 numri i të vdekurve.
Sakaq, 650 persona janë në gjendje kritike për jetën, raporton noa.al duke cituar OBSH.
Raporti i të prekurve ka arritur në 152 njerëz ndër 1 milionë banorë, përqindja më e lartë nga të 112 shtetet që janë prekur nga koronavirusi.
Të dhënat e minutave të fundit evidentojnë se në të gjithë botën shënohen 113751 persona të prekur.
Ndër ta kanë humbur jetën 3990 njerëz. Kurse 62832 persona janë shëruar. Por në gjendje kritike gjenden 5983 vetë si dhe 40946 njerëz janë në gjendje më pak kritike për jetën. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





