Transmetuar më 09-03-2020, 19:24

Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar pas votimit në Parlamentin shqiptar të Ligjit për pronat. Sipas ministrisë së Jashtme greke, kjo përbën një shans të humbur për zgjidhjen e çështjes.

"Votimi nga ana e Parlamentit Shqiptar, të ligjit mbi çështjen e pronave, përbën një shans të humbur  për zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të një problemi që mundon qytetarët Shqiptarë, përfshirë këtu edhe anëtarët e Minoritetit Etnik Grek", thuhet në reagim.

Po ashtu ministria e Jashtme thotë se ky vendim u miratua pa marrë parasysh vlerat dhe të drejtat themelore, ndërsa zbatuan në mënyrë të pjesshme rekomandimet e Venecias.

"Autoritetet  Shqiptare zgjodhën për t’i dhënë  ‘’zgjidhje ‘’ pa marrë parasysh vlera  dhe të drejta themelore. Zbatuan në mënyrë të pjesshme Opinionin e Komisionit të Venecias të dt. 14 tetor 2019, i cili  theksonte se ‘’dispozitat e projekt Ligjit janë të paqarta  dhe të papajtueshme me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zbatimi i mundshëm i tyre  do të përbënte shkelje të së drejtës së pronësisë’’.

Megjithëse në momentet e fundit  u bënë disa përmirësime, problemet kryesore mbetën edhe tek Ligji që u votua.

Presim nga Autoritetet Shqiptare të mbrojnë në mënyrë efektive  të drejtën e pronësisë dhe të pronës, një çështje kjo, që përfshihet në bërthamën e ligjeve kryesore të së Drejtës Europiane", thuhet në reagimin e ministrisë.

Më tej ministria sqaron se "sanksionimi i kësaj të drejte  do të përbejë gurin e provës,  në kontekstin e  marrjes së vendimeve  për hartimin e kuadrit negociues  dhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave për  integrimin e Shqipërinë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd