
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico foli sot rreth situatës së krijuar nga koronavirusi në Shqipëri. Fico u shpreh së pari se dy rastet e identifikuara si pozitivë ndaj koronavirusit, janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore, ndërsa sipas saj të afërmit e tyre janë futur në vetëkarantinim deri në daljen e rezultateve të analizave të kryera në ISHP.
"Janë dy pacientë që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus. Testet u kryen në ISHP, sapo dolën testet këta pacientë janë shoqëruar te shërbimi infektiv. Janë dy raste, njëri është kontakti i personit që ka ardhur nga Firence. Janë në gjendje të qëndrueshme, nën trajtim mjekësor. Raportimi i fundit është se janë stabël, temperaturat e tyre po normalizohen. Do vazhdojnë me protokollet", tha Fico dhe shtoi:
"Nuk ka një protokoll të paracaktuar për trajtim specifik të koronavirusit. Të gjitha këto gjëra që ndodhin jashtë Shqipërisë, janë padiskutim edhe pjesë e diskutimit të komunitetit teknik të ekspertëve që shikon jo vetëm me vëmendje, por edhe me dëshirën e mirë për të implementuar trajtime të tjera, nëse OBSH do të na i këshillonin. Do të zbatohen protokolle të njohura për sëmundjet me natyrë virale. Incidenca e sëmundjeve të natyrës respiratore nuk është e lidhur vetëm me gripin", u shpreh Albana Fico.
Duke folur gjatë një interviste në Oranews ajo tha se për sëmundjen do të zbatohen të gjitha protokollet e rekomanduara nga OBSH, ndërsa tregoi dhe shenjat kryesore që shfaq një pacient i infektuar nga koronavirusi.
"Këto lloj sëmundjesh kanë një ecuri dhe karakteristika të veta të zhvillimit. Së pari, në mënyrë të përsëritur ju them se qytetarët shqiptarë që kanë ardhur nga zona të caktuara duhet të vetëdeklarohen në rastet kur kanë problematika. Duke ardhur nga zona të nxehta është kërkuar të futet në vetëkarantinim. Është një detyrë kombëtare, jo vetëm personale", tha Fico.
Ajo pohoi se është e vështirë të thuash se cili është numri i personave të prekur dhe nënvizoi se në trajtimin e këtyre sëmundjeve futet edhe hulumtimi epidemiologjik. "Është detyra jonë të marrim kontakt me këtë person, me personat që ka pasur kontakte, me rrethin e parë, rrethin e dytë. Ne kemi identifikuar rrethin zero, kontaktin e tij më të ngushtë që është person i familjes. Janë marrë mostrat për personat e afërt të familjes së këtij personi. Do të isha e matur për dhënien e një kohe për daljen e rezultateve të mostrave të tjera. Brenda 24 orëshit të parë ne duhet të kemi rezultatet. Kjo kategori njerëzish tashmë është e vetëkarantinuar në pritje të përgjigjes të ekzaminimeve. Deri tani ata nuk kanë shfaqur shenja të sëmundjes. Shenjat janë temperaturë e lartë, kollë e lartë, dhimbje muskujsh dhe vështirësi në frymëmarrje. Është e rëndësishme që pacientët të kontaktojnë me 127, të mos i drejtohen urgjencave sepse ne duam që në këtë fazë të shmangim përhapjen", tha zonja Fico.
Koronavirusi në Shqipëri, Qeveria mbyll shkollat, ndërpriten fluturimet me veriun e Italisë
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





