Transmetuar më 09-03-2020, 10:23

Duke nisur nga dita e sotme dhe për 25 ditë të tjera deri më 3 prill, në Shqipëri do të zbatohet një plan i ashpër masash që synon frenimin e rasteve me koronavirus.

Pikë kryesore është mbyllja e të gjithë sistemit arsimor deri më 3 prill. Kryeministri Rama vuri në dukje se mbyllja e institucioneve arsimore bëhet, jo se kjo është kategoria më e kërcënuar, por duhet kuptuar se të rinjtë apo fëmijët, të cilët për shkak të faktit që duhet të shkojnë në shkollë e mblidhen së bashku, janë bartës e mund ta transmetojnë virusin tek të tjerët edhe pse për ata vetë virusi nuk shfaqet kërcënues.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu kanë shpallur vendimet e marra nga qeveria në një fazë kur vendi tashmë është prekur nga koronavirusi.

Zonja Manastirliu ka thënë se tashmë duhet një pakt me qytetarët dhe mediat që të ndiqen të gjitha rregullat nga institucionet deri më 3 prill.

VENDIMET

1.Mbyllja e të gjitha institucioneve arsimore publike dhe jopublike në të gjitha nivelet dhe në të gjithë vendin.

2.Mbyllja e aktiviteteve publike apo jopublike, grumbullimet, konferencat, koncerte, tubime, dëgjesa publike deri më 3 prill 2020.

3.Pezullimi i fluturimeve direkte apo lidhjes detare me veriun e Italisë deri në datë 3 prill.

4.Vetëkarantinim i detyruara për qytetarët që vijnë nga nga ”zonat e kuqe” të vendeve të prekura.

5.Strukturat shëndetësore do të mbështesin të gjithë personat e identifikuar që kanë hyrë.

6.Moszbatimi i urdhrit është i dënueshëm të ligjit për parandalimin e sëmundjeve infektive.

7.Ndalimi i eksportit të barnave dhe pajisjeve mjekësore, do të kryhen vetëm me autorizim.

8.Kufizim i lëvizjes së shoqëruesve dhe familjarëve për pacientët, në spital ndalohet hyrja e familjarëve apo shoqëruesve. Me përjaashtim kur kërkohet nga mjekët apo Drejtoria e Spitaleve.

9.Jepen 400 milionë lekë për mbështetjen e sistemit shëndetësor në kuadër të masave paraprake për parandalimin e koronavirusit do të shkojnë për fuqizimin e flotës së aparaturave dhe rritjen e stokut të mjeteve mbrojtëse personale.

Më poshtë shikoni urdhrat e shpallur

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd