Transmetuar më 08-03-2020, 19:06

Tre pjesëtarë të lartë të familjes mbretërore në Arabinë Saudite, përfshirë edhe vëllanë e mbretit, janë arrestuar për arsye të pashpjeguara.

Dy prej tyre janë mes figurave më me ndikim në mbretëri. Arrestimet vijnë ndërsa princi i kurorës Mohammed Bin Salman, po forcon pushtetin e tij.

Në vitin 2017, dhjetëra figura mbretërore saudite, ministra dhe biznesmenë u mbyllën në hotelin e riadit, Ritz Carlton, pasi princi i kurorës urdhëroi arrestimin e tyre.

Mohammed bin Salman, një figurë e shumëdiskutuar, konsiderohet sundimtari de fakto i mbretërisë pasi ai u emërua princi i kurorës nga i ati, në vitin 2016.

Arrestimet e fundit, janë publikuar së pari nga Wall Street Journal, që tha se ato ishin ekzekutuar të premten në mëngjes.

Tre të arrestuarit janë vëllai i vogël i mbretit, princi Ahmed bin Abdulaziz, ish princi i kurorës Mohamed bin Nayef dhe një kushëri mbretëror, princi Nawaf bin Nayef. Mohamad bin Nayef, ka qenë ministër i brendshëm deri sa u shkarkua dhe u vendos në arrest shtëpie në 2017.

Në rolin e tij të mëhershëm, ai konsiderohej një partner i ngushtë dhe i besueshëm nga zyrtarët amerikanë të inteligjencës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd