
Kina ka njoftuar sot se vaksinat e para për luftimin e koronavirusit mund të jenë gati pas disa ditësh, më së shumti fillim prilli, por vetëm “për përdorim emergjent”.
Një zyrtar i lartë kinez është shprehur se vendi po përparon në zhvillimin e vaksinave për Covid-19, sëmundje e cila ka infektuar me shume se 109 mijë persona në të gjithë botën. Zheng Zhongwei, drejtor i Qendrës Kombëtare të Shkencës dhe Teknologjisë e Komisionit të Shëndetit në Kinë u shpreh se po shpresojnë që vaksina të jetë gati në prill.
“Sipas vlerësimeve tona, shpresojmë që deri në prill disa prej vaksinave mund t’iu nënshtrohen kërkimeve klinike dhe të përdoren për situata emergjente.”
Zhvillimi i vaksinave që janë të sigurta dhe efektive kërkon kohë, investime dhe studime të mira. Për një koronavirus si ai që shkakton COVID-19, procesit i shtohen sfidat. Vetëm testimet për sigurinë dhe efikasitetin e tij do të zgjasin 12-18 muaj ose më shumë, thonë zyrtarët.
Sipas ligjit të Kinës, vaksinat e zhvilluara për raste urgjente të shëndetit publik mund të vendosen për përdorim urgjent në kushte të përcaktuara, nëse Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore konsideron se përfitimet e trajtimit i tejkalojnë rreziqet.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





