
Dekreti i dytë i qeverisë italiane parashikon kufizime të mëdha si në hyrjet ashtu edhe në daljet për zonat më të ekspozuara: lëvizjet e lejuara vetëm për punë veçanërisht urgjente ose për arsye familjare.
Me një konferencë për mediat mbajtur rreth orës 2.30 të mëngjesit të sotëm (8 mars 2020), kryeministri italian Giuseppe Conte informoi se ka firmosur një dekret të dytë masash urgjente, të miratuar nga Këshilli i Ministrave për të përballuar emergjencën e koronavirusit që ka përfshirë Italinë.
Nën konsultimin dhe të Komiteti Shkencor të ngritur pranë qeverisë, ky dekret hyn në fuqi menjëherë sot më datë 8 mars e deri më 3 prill 2020 dhe ndalon rreptësisht hyrje daljen e banorëve në zonat më të prekura nga virusi kryesisht në veri të Italisë.
Me qëllim ndaljen e limitimin e përhapjes së virusit COVID-19 në të gjithë territorin e Lombardisë dhe në territoret e 15 provincave Modena, Parma, Piacenza, Regio Emilia, Rimini, Pesaro, Urbino, Alessandria, Asti, Novara, Verbano-Cusio-Ossola, Vercelli, Padova, Treviso e Venezia ndalohet çdo lëvizje e personave fizikë në hyrje e në dalje të këtyre territoreve si dhe brenda vetë territoreve me përjashtim të lëvizjeve të motivuara për nevoja pune ose shëndeti.
Rajonet në fjalë janë të banuara nga rreth 16 milion banorë.
Për individët në regjim karantine brenda këtyre territoreve është absolutisht e ndaluar të lëvizin nga banesat e tyre. Lokalet e restorantet duhet të respektojnë orarin e hapjes nga ora 6.00 deri më 18.00.
Në nivel kombëtar shtohen gjithashtu masa të reja si pezullimi i aktivitetit të pube-ve, diskotekave, sallave të lojërave, sallave të basteve, sallave të bingove, të lokaleve të kërcimit që në rast shkelje u hiqet licenca e ushtrimit të biznesit.
“Po përballojmë një emergjencë kombëtare, u shpreh gjatë konferencës kryeministri italian, kërkoj të jemi vetë-përgjegjës. Masat janë të rrepta e do të sjellin probleme, por kërkohet sakrificë nga të gjithë. Objektivat e këtij dekreti janë dy: ndalimi i përhapjes së virusit e limitimi i personave të sëmurë pasi nuk kemi mundësi për ta përballuar me personel mjekësor e struktura sanitare”, tha Conte.
Italia një tmerr, e dyta pas Kinës për të prekur dhe të vdekur
Situata me koronavirusin është bërë edhe më shqetësuese sot, pasi vetëm në 24 orët e fundit u regjistruan 133 njerëz të vdekur duke e çuar në 366 numrin e përgjithshëm të viktimave nga virusi fatal.
Sakaq 24 orët e fundit u regjistruan edhe 1492 njerëz të prekur me koronavirus, bëhet e ditur nga informacionet e minutës së fundit që publikon zyrtarisht Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në total në Itali regjistrohen 7375 njerëz të prekur. Prej tyre vetëm 622 konsiderohen të shëruar. Nën mbikëqyrje mjekësore janë 6387 njerëz ku 650 prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.
Me shifrat e sotme Italia është renditur e dyta pas Kinës për numrin e të infektuarve dhe të të vdekurve.
Ndërkohë në të gjithë botën ka arritur në 109631 numri i personave të infektuar me koronavirusin.
Prej tyre, 3802 njerëz kanë humbur jetën, kurse 6125 të tjerë janë në luftë me vdekjen.
Raportohet se deri tani janë shëruar 60923 njerëz të prekur, kurse po i nënshtrohen përkujdesjes mjekësore dhe 37505 njerëz të tjerë.
Kina sot shënoi vetëm 52 raste të reja njerëzish të infektuar që përbën numrin më të ulët ditor që nga nisja e koronavirusit. 24 orët e fundit në Kinë humbën jetën 28 persona.
Irani regjistroi 743 njerëz të prekur në 24 orët e fundit, kurse Korea e Jugut 272.
Sakaq u shënuan 218 raste të reja në Gjermani duke e çuar në 1018 totalin dhe 177 raste të reja në Francë duke u bërë total 1126 të prekur ndër të cilët 19 kanë vdekur.
Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar si i infektuar me virusin e ri. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





