
Draft-opinioni i Komisionit të Venecias në lidhje me përplasjet mes Presidentit të Republikës dhe mazhorancës për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese: Veprimet e Presidentit janë në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës
Komisioni i Venecias nuk mendon se Presidenti ka shkelur kushtetutën dhe se procesi për shkarkimin e tij nuk është i drejtë.
Në opinionin paraprak analizohen të gjitha veprimet e Presidentin në lidhje me emërimin e anëtarëve të gjykatës kushtetuese. Më tej Komisioni i Venecias thotë në artikullin 104 të tij se veprimet e Presidentit janë përgjithësisht të përshtatura me një interpretim të arsyeshëm të kushtetutës.
Po ashtu, veprimet e Presidentit në krahasim me mënyrën e punës së KED, janë të arsyeshme dhe për këtë nuk ka bazë për shkarkim.
Në lidhje me radhën e emërimeve të anëtarëve të gjykatës kushtetuese, në draft-opinionin e plotë që publikoi Euronews Albania, Komisioni i Venecias shprehet në artikullin 100 se vendimi i presidentit për të pritur radhën e Kuvendit për të zgjedhur anëtarin e gjykatës kushtetuese ishte i arsyeshëm, pra bllokimi i afatit 30 ditor ishte i vlefshëm.
Megjithatë Komisioni i Venecias nuk hedh poshtë as interpretimin e Kuvendit, sipas të cilit, palët zgjedhin vakancat e tyre pavarësisht kohës dhe radhës por për vetë Komisionin e Venecias do të zgjidhte versionin e zgjedhur nga Ilir Meta
Për Komisionin e Venecias në artikullin 70, mënyra se si veproi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ishte e dyshimtë pasi i dërgoi listat me kandidatë Kuvendit 6 ditë pasi ia dërgoi Presidentit. Po ashtu edhe dërgimi i 4 listave me 6 kandidatë në total krijoi një situatë në të cilën të gjitha emërimet përveç atij të zotit Besnik Muçi mund të jenë anti-kushtetuese.
Në artikullin 113 të opinionit të saj, Komisioni i Venecias sqaron se nëse do të duhet një mekanizëm zhbllokues për të emëruar anëtarin e Gjykatës Kushtetuese nëse Presidenti nuk e zgjedh brenda 30 ditëve, atëherë kjo duhet ngritur në nivel kushtetues dhe jo në ligj siç është tani.
Përsa i përket betimit, për të cilin mazhoranca votoi ligjin ku e kufizonte atë në 10 ditë për Presidentin e republikës, Komisioni i Venecias në artikullin 114 të tij sugjeron që ky ligj të braktiset.
Ligji i miratuar por që ende nuk ka hyrë në fuqi për ta dërguar betimin me shkrim tek presidenti në rast se Presidenti refuzon të pranojë betimin, duhet të braktiset sepse duket të jetë antikushtetues
Po ashtu Komisioni i Venecias sugjeron që kjo krizë të zgjidhet me dialog politik në kushtet kur në vend mungon Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





