
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka komentuar nga Shkodra dy tema mjaft të diskutuara të ditës që janë raporti paraprak i Komisionit të Venecias për debatin e hapur në lidhje me Gjykatën Kushtetuese dhe zërat se, ka pasur tentativa nga mazhoranca për të dialoguar me të pas tubimit të 2 Marsit.
Meta tha se, Venecia e ka shkruar Kushtetutën e Shqipërisë dhe nuk do ta komentonte raportin e saj për aq kohë sa është konfidencial, ndërsa për tentativat e mazhorancës për dialog, ai zgjodhi t’i komentonte duke dhënë konsideratat e tij për ekipin e Vllaznisë.
Raporti paraprak në lidhje me përplasjen me mazhorancën, ju jep në njëfarë mënyrë të drejtë ju, si e komentoni?
Meta: Nuk mendoj se kjo është çështje e Venecias, sepse Venecia e ka shkruar Kushtetutën e Shqipërisë. Kjo ka qenë edhe mbetet që prej 115 ditësh një çështje e drejtësisë të bëjë hetimet e duhura që askush të mos dalë mbi Kushtetutën dhe ligjin.
Venecia vendosi në favorin tuaj, është ky një sinjal pozitiv në kauzën tuaj?
Meta: Nuk e komentoj sepse mbi dokument ka pasur një konfidencialitet, por unë po ju them se Kushtetutën tonë e ka shkruar vetë Venecia.
Ka pasur zëra se mazhoranca ka dërguar njerëz për të negociuar me ju, keni ndonjë koment?
Meta: Këtu kemi ardhur për të parë një spektakël të jashtëzakonshëm pasi Vllaznia shkëlqen në lojërat me dorë. Faleminderit.
Presidenti Ilir Meta ndoqi të shtunën ndeshjen e basketbollit mes Vllaznisë dhe Tiranës ndërsa deklaratat ai i bëri para pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Ai u prit në hyrje të stadiumit nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





