Coca Cola largohet nga Italia: Fajin e ka qeveria, po ikim në Shqipëri
Transmetuar më 05-03-2020, 20:46

Kompania Coca Cola ka vendosur të mbyllë stabilimentin e saj në Itali dhe ta spostojë prodhimin në Shqipëri.

Vendimi vjen i shoqëruar me akuzat se fajin për braktisjen e Italisë e ka qeveria që aplikon shumë taksa.

Kjo është hera e parë që një kompani miliardere shumëkombëshe braktis një ndër vendet më të zhvilluara të BE për të shkuar në një vend të vogël si Shqipëria.

Sipas vendimit të Coca Cola që e bëri të ditur Luca Busi, kompania e mbyll stabilimentin në Catania, Siçili dhe të gjithë prodhimin e produkteve të saj do ta bëjë në Shqipëri dhe që atje do të eksportojë produktet në Itali.

Kjo lëvizje që ka lënë të shtangur qeverinë italiane, erdhi pasi në Itali u vendosën taksat e sheqerit dhe plastikës, si përpjekje për të reduktuar dëmet prej tyre në mjedis dhe trupin e njeriut.

Coca Cola tha se këto taksa ndikonin te kjo kompani me 18 milionë euro nga 115 milionë euro produkte që ajo shet çdo vit.

Vendimi pasoi reagime të shumta politike duke evidentuar se braktisja do të sjellë papunësi të shtuar në Itali, rënie të vlerësimeve ndaj saj nga bizneset shumëkombëshe dhe rrezikun që Shqipëria apo edhe ndonjë vend tjetër ballkanik të bëhen streha edhe të kompanive të tjera pasi në këto vende nuk aplikohen taksa të tilla.

Matteo Renzi, ish kryeministër apeloi që qeveria të anulojë sa më parë këto taksa të reja që të frenojë këtë dukuri të nisur braktisjeje.

Ndërsa Giorgia Meloni, lidere e Fratelli d’Italia, thotë se Coca Cola braktisi Italinë dhe po shkon në Shqipëri pasi atje taksa është vetëm 15 për qind dhe jo 60 për qind sa ka arritur niveli i taksave në Itali.

Coca Cola në Itali vlerësohet 1 miliard euro. Ajo është kompania më e madhe në industrinë e pijeve dhe kishte impakt të rëndësishëm në ekonominë italiane. Kompania kishte krijuar 29.573 vende pune dhe 67 mijë persona varen pjesërisht ose plotësisht nga prodhimi i tyre, përmes zinxhirit të shitjeve. /noa.al/

Loading...