
Mëngjesin e sotëm në zonën e Astirit ka nisur aksioni për shembjen e 25-30 objekteve mes tyre dyqane dhe banesa në lotin e dytë të Unazës së Re. Policia e Shtetit ka devijuar trafikun në zonë për të garantuar mbarëvatjen e aksionit të IKMT.
Trafiku është devijuar nga rrethrrotullimi i Astirit deri tek ish-sheshi Shqiponja, ndërkohë që automjetet kalojnë në rrugën që lidh zonën e Astirit me Mëzezin.
Ish-deputeti i PD Klevis Balliu i pranishëm nga protesta e Astirit ka deklaruar se PD do të mbajë fjalën për kontratën me banorët dhe përgjegjësit do dërgohen para ligjit.
"Ky projekt ka shkatërruar dhe jetët e qytetarëve duke shkatërruar shtëpitë për ndërtimin e kullave të pushtetarëve dhe oligarkëve. Nesër do të jepen leje ndërtimi mbi gjakun dhe djersën e qytetarëve. Asnjë germë nuk i hiqet kontratës së PD me banorët dhe ata do të paguhen cent për cent dhe përgjegjësit do dërgohen para ligjit.
Prishjet janë bërë pa asnjë letër. Këta punojnë në errësirë. Këta ligjin dhe qytetarët i kanë armiq. Këtij pushtetit të korruptuar dhe droguar po i vjen fundi. Banorët e Unazës së Re kishin dy mundësi, të bënin luftë dhe të vriteshin, por armiku u tyre është pushteti i Edi Ramës dhe Erion Veliajt", shprehet Balliu.
Sipas tij, "Qëllimi i tyre është që të përplaset qytetarët me policë. Sot po i vidhet prona dhe shtëpia këtyre banorëve. Ata zgjodhën të dokumentojnë se si sot qeveria po vjen dhe po shkatërron pronat. Si vazhdohen hetimet ku nuk janë mbyllur hetimet. Çfarë do të hetojë SPAK kur shkatërrohen provat"./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





