Transmetuar më 04-03-2020, 11:29

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla ka deklaruar se ditën e nesëme Kudendi do të shqyrtojë dekretin e presidentit Ilir Meta për betimet në Kushtetutë të firmosur në tubimin e 2 marsit.

"Unë nuk përgjigjem me emocione. Unë përgjigjem me respekt dhe drejtësi sa i përket Kushtetutës. E garantoj presidentit që do ta shqyrtojmë dekretin. Besoj që bashkëndajmë të gjithë vlerësimin që Shameti është një prej profesorëve të drejtësisë në vend. Shameti është iniciues i këtij ligji. Shameti është deputet i Skraparit dhe shpresoj që urrejtja e Metës të mos lidhet me të", tha Balla.

Ndërsa i pyetur nëse Meta do e shpërndajë parlamentin më 15 Mars, Balla deklaroi se Presidenti i vendit nuk mund të shpërbëjë Parlamentin. Ai tha se Shqipëria është një republikë Parlamentare dhe si e tillë mund ta shkarkojë Parlamenti Presidentin, por e kundërta jo.

“Republika e Shqipërisë është e pastër parlamentare, e kulluar parlamentare dhe presidenti i zgjedhur në atë detyrë nga Kuvendi i Shqipërisë e di fare mirë këtë mungesë të së drejtës për të pasur këtë lloj qasje me Kuvendin. Kuvendi e shkarkon Presidentin dhe procesi certifikohet nga GJK. Presidenti i vjen anash Parlamentit për ta shkarkuar dhe shpërndarë", tha ai.

Sipas Ballës, Meta duhet të “kuptojë qartë se është në hetim nga kuvendi për shkejet e njëpasnjëshme kushtetuese, e nxis komisionin hetimor që të kemi mundësi sa më shpejt që të lexojmë para shqiptarëve”, duke shtuar se ‘uroj që gjithë ky agravim të mos vijë nga fakti që Meta e konsideron veten si pjesë të KCK”./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd