Ministri i Jashtëm i Kosovës, kërkon largimin e ambasadores Vlora Çitaku dhe 6 të tjerëve
Transmetuar më 03-03-2020, 14:37

Ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Glauk Konjufca, kërkon kthimin e shtatë ambasadorve.

Mes tyre është edhe kryediplomatja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku dhe gjashtë të tjerë.

Në njoftimin e shopërndarë nga MPJ i Kosovës thuhet se, “Që në fillim të mandatit jam zotuar për vendosjen e rregullit dhe ligjit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Një ndër hapat e radhës është edhe kërkesa për kthimin e ambasadorëve politik që e kanë përfunduar mandatin 4 vjeçar të paraparë sipas ligjeve në fuqi të Republikës se Kosovës. Duke u bazuar në nenin 93, pika 8 dhe nenin 84 pika 25 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 13 të Ligjit nr.03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës (GZ. Nr 46/15 janar 2009) dhe bazuar në nenin 10 (paragrafi 9) të Rregullores për Shërbimin e Jashtëm dhe me qëllim të respektimit të nenit 7,7 të Ligjit Nr.03/L-207 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës,( GZ.76, 10 gusht 2010), në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozoj tërheqjen nga misioni të këtyre ambasadorëve politik”,

Ambasadorët e tërhequr nga Konjufca, Vlora Çitaku nga SHBA, Edon Cana nga Bullgaria, Lirim Grejçevci nga Londra, Shpend Kallaba nga Hungaria, Mimoza Ahmetaj nga Franca, Ylber Hysa nga Maqedonia dhe Ramadan Avdiu nga Zvicra. /a.y/noa.al

Loading...