Transmetuar më 02-03-2020, 12:08

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi i ka kërkuar shefit të Komisariatit të Vorës që të arrestohet ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku.

Urdhri i Jaupit ka ardhur pas disa takimeve që ai ka pasur me shefa të Komisariateve në qarkun e Tiranës, ku ka kërkuar shtimin e forcave për arrestimin e të gjithë personave të shpallur në kërkim.

Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi deklaroi dje se Kajmaku lëviz i lirë nëpër Tiranë dhe për këtë ka mbështetjen e Ramës.

Kujtojmë se Prokuroria firmosi urdhër-arrestin për Kajmakun më 11 nëntor të vitit të kaluar por që atëherë Kajmaku nuk është dukur më.

Ai u denoncua fillimisht nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash. Greqia e shpalli të pafajshëm por ishte e vërtetë që në vitin 2003 ai ishte shpallur në kërkim për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk u kap pasi kishte ikur në Shqipëri.

Por në formularin e dekriminalizimin ai e fshehu këtë rast, duke cuar në shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut pak muaj pasi e kishte marrë këtë post. Kajmaku u shpall në kërkim pasi kur KQZ e shkarkoi, ndërkohë që ai vijoi të bëjë kryebashkiakun duke firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë Vorë, Laureta Omerni dhe Hekuran Brahimajn duke zgjedhur Gent Picarin në këtë post (Picari u shkarkua më vonë).

Prokuroria e akuzon ish- kryebashkiakun për 3 vepra penale ”Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”. “Falsifikim i dokumentave” dhe ”Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd