Transmetuar më 02-03-2020, 10:46

Deputetja e opozitës së djathtë në Kuvend, Rudina Hajdari mbajti një fjalim emocionues, në seancën kushtuar problemeve të qytetarëve. Ajo e nisi fjalimin e saj me problemin e naftëtarëve në Ballsh, të cilët kanë prej muajsh pa u paguar. Hajdari rrëfeu disa nga historitë e naftëtarëve, që sipas saj i kishte takuar, dhe i kishin treguar se ishin në varfëri, aq sa nuk kishin para për të paguar shkollën e fëmijëve.

"Kam takuar naftëtarë që po luftonin për pagat e tyre. Kishin 20 vjet që punonin në Ballsh dhe nuk paguheshin. Historia e tyre është e dhimbshme. Kemi krijuar imunitet ndaj njerëzve të thjeshtë. Dëgjova Gramozin që më thoshte: shkoj çdo ditë dhe helmohem duke përpunuar naftën për fëmijët. E vetmja mundësi që ai kishte ishte duke sakrifikuar për fëmijët e tij. Këtyre naftëtarëve nuk u ishte siguruar paga prej shumë kohësh. Ishte një histori tjetër që më goditi në zemër. “Kam djalin në Tiranë, nuk kam as 8 mijë lekë për t`ia dërguar fëmijës tim në Tiranë për të përballuar shpenzimet e ditës”. Problemi i naftëtarëve është problemi i të gjithë Shqipërisë", u shpreh Hajdari.

Teksa ndahu disa nga historitë e këtyre njerëzve të thjeshtë, Hajdari tha se deputetët e pranishëm në sallë janë bërë një grup miliarderësh. “Problemi i naftëtarëve nuk është problem i vetëm një qyteti, por i një vendi. Çfarë bën sot qeveria arrogante ? Ata kanë krijuar imunitetin, i shohin si njerëzit me histori normale dhe që ndodhin kudo. Por këto histori nuk janë historitë e kujtdo, por e vëllezërve tanë, e atyre zgjedhësve që ju kërkoni vota. Ju keni një qasje grabitqare, ndaj atyre njerëzve që janë bërë miliarderë. Kjo sallë është bërë grupi i miliarderëve.

Si ka mundësi që sot këta njerëz jetojnë dhe luftojnë mbi naftë dhe nuk kanë lekë të ushqejnë fëmijët e tyre. Nuk kanë lekë të blejnë shpenzimet e familjes ë tyre. Ne jemi një vend me pasuri natyrore. Sot i vjedhin shqiptarët. E di ça ka ndryshuar sot? Ju jeni bërë më të pasur sot. Edi Rama shkoi në Ballsh dhe tha se do ndryshoje gjendja, dhe sot ata janë keq e më keq. Historia e naftëtarëve është historia e njerëzve të thjeshtë, që luftojnë për djersën e ballit,. Që i ka ardhur në majë të hundës nga një klasë politike punëtorësh të thjeshtë. Sa herë shkojnë i takojnë gjoja i dëgjojnë. Janë ata që do ta mbajnë gjallë këtë popull. Të gjitha këto mëkate do ju zënë.”, tha Hajdari./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd