Transmetuar më 02-03-2020, 10:20

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i është përgjigjur Presidentit Ilir Meta që ftoi sot shqiptarët të bashkohen në protestën e pasdites, teksa kujtoi 1444 dukë bërë thirrje për një ‘Besëlidhje të re me Pranverën Kuqezi’.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Spiropali thotë se kjo është klithma e zullumit të së shkuarës që zien nga Reforma në Drejtësi.

"BesëLikja nuk është as e re as pranverore! BesëLikja është klithma e zullumit të së shkuarës që zien nga Reforma në Drejtësi.

Ështe frika nga Besa e lidhur me SHBA/BE për ta bërë vendin Shtet të së Drejtës. Ështe rruga qorre e atyre që s’e duan rrugën e Shqipërisë Europiane" shkruan ministrja.

Më herët Presidenti Meta e nisi ditën e sotme me një thirrje për qytetarët që t’i bashkohen në orën 17:00 në atë që ai e cilëson si manifestim kundër qeverisë.

Kreu i shtetit risolli në vëmendjen e shqiptarëve Besëlidhjen e Lezhës në 2 mars 1444, duke kërkuar reflektim që një gjë e tillë të ndodhë edhe sot përballë atij që ai e cilëson si ‘rrezik pushtimi nga një sekt mafioz’ referuar Rilindjes. Ilir Meta sot kërkoi një Besëlidhje të re./b.l/noa.al/

“Mirësevjen Besëlidhja e re me Pranverën Kuqezi”, Meta: Koha të dëgjohet zëri i popullit

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd