Transmetuar më 01-03-2020, 12:41

Kanë mbërritur pranë gjykatës së Përmetit personat e arrestuar dy ditë më parë në operacionin "Mezhgorani".

Me disa automjete të policisë njëri pas tjetrit, kanë mbërritur të arrestuarit të cilët janë paraqitur në Gjykatë për masën e sigurimit personal që do të merret ndaj tyre.

Shoqëruar nga efektivët, në makinën e policisë, mbërriti edhë Henri Çili, pronari i UET-së. Rreth Gjykatës ka familjarë dhe të njohur të personave të arrestuar.

Por në momentet e fundit është ndërruar gjyqtari për seancën ndaj të arrestuarve. Seancën do ta drejtojë Dritan Hasani, ndërsa gjyqtarja Yrvete Shkreli është përjashtuar dje.

Ishte një kërkesë e prokurorit Asllan Bajrami, që është pranuar nga kryetarja e gjykatës. Ai kërkoi përjashtimin e gjyqtares Yrvete Shkreli, pasi dyshohet se kanë pasur përplasje mes tyre për caktimin e masës së sigurisë mes ditës së dielë apo të hënë. Gjyqtarja kërkonte që seanca të mbahej të hënën, dhe jo sot.

Mësohet se kjo përplasje nuk është mbyllur me kaq. Si prokurori Bajrami, ashtu edhe gjyqtarja Shkreli, kanë kallëzuar njëri-tjetrin, por nuk dihet ende mbi ç’akuza.

Ndërkohë, seanca do të jetë me dyer të mbyllura.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd