
Botuesi Henri Çili është marrë në pyetje pasditen e djeshme nga oficerët e policisë gjyqësore në Gjirokastër.
Burime nga policia thanë se, Çili ka mohuar të ketë pasur dijeni për gjithçka që akuzohet nga Prokuroria.
Ky i fundit i është nënshtruar seancave pyetësore në orët e vona të pasdites së djeshme nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore në Policinë e Gjirokastrës.
Në të gjitha dëshmitë që ka dhënë në 1 orë e gjysëm seancë pyetësore në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Gjirokastrës, Henri Çili mësohet të jetë shprehur se, nuk ka kryer asnjë shkelje në lidhje me akuzat që i bëhen dhe se gjithçka, sipas tij, është tërësisht e manipuluar dhe do t’i kundërshtojë në momentin e duhur me prova dhe fakte.
Burime nga Prokuroria e Përmetit bëjnë të ditur se, Henri Çili pritet që të dalë para Gjykatës së Faktit në Përmet mesditën e së dielës.
Sakaq avokati i Henri Çilit, Andi Duraj e ka cilësuar të paligjshëm ndalimin e botuesit Henri Çili. Në një prononcim për mediay Duraj ka treguar se Çili është shoqëruar në policinë e Gjirokastrës në orën 22:00 të mbrëmjes së 27 shkurtit, rrugës duke shkuar për në shtëpi.
Sipas tij, urdhri i ndalimit është prerë dje në orën 8:15 dhe prokuroria nuk ka zbatuar procedurën e marrjes në pyetje, pavarësisht gatishmërisë së tij për të dhënë shpjegime.
“Prokuroria e Përmetit është nxituar se nuk ka as juridiksion, as kompetencë për ndalimin e Çilit. Materialet nga policia ende nuk i kanë shkuar prokurorisë së Përmetit. Për këtë arsye masa e arrestit për nesër është e pamundur të jepet. Afati përfundimtar është 96 orë”, tha avokati Duraj.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





