“Kurti më dërgoi letër urgjente për takim”, Haradinaj: E refuzova, më thirri pasi mori vendimin për taksën
Transmetuar më 28-02-2020, 18:03

Ish-kryeministri i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot para mediave se ka marrë ftesë për takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas Haradinaj, Kurti i ka dërguar sot një letër urgjente për takim,  për të folur për tema me interes nacional.

"Unë i kam kthy një letër atij, i kam treguar që jam i interesuar me biseduar, ju kam drejtuar disa herë publikisht, por, ju nuk keni gjet kohë për një temë të cilën kam kontribuar, pasi e keni marrë vendimin e keni thirr një takim sa për sy e faqe ky është më shumë se ofendim”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kurti ka bërë pazare me Vuçiç rreth heqjes së taksës. Ai e ka quajtur vendimin e Kurtit për heqjen e taksës ndaj Serbisë një mashtrim nga ai. “Ka një marrëveshje mes të dyve, votat e Listës Srpska për qeverinë Kurti”, ka deklaruar ai.

Më tej, Haradinaj theksoi se Kurti gaboi me qasjen e tij ndaj vendeve të Bashkimit Evropian. “I drejtohet BE-së për liberalizmin e vizave, është gabim që pas një vendimi për taksën t’i drejtohet në atë mënyrë qeverive veç e veç. Logjika e z.Kurtit e ka një problem. E kuptoj fjalorin e Grenell, por i thotë se po gabon dhe i kërkon më shumë. A e dini çka d.m.th kjo”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë që Kurti, ka prezantuar mbrëmë një sërë masash për heqjen graduale të tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina duke filluar me heqjen e tarifës ndaj lëndës së parë që importohet nga këto shtete duke filluar nga 15 marsi.

Loading...