Transmetuar më 23-02-2020, 15:19

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një shkrim për Bilbil Hasanin, babain e katër fëmijëve që u vetëvar të premten e shkuar në burgun 313 në Tiranë.

Berisha thotë se kishte 20 vite që trajtohej me kemp për shkak të problemeve të shëndetit mendor dhe e konsideron të vrarë nga shteti.

Sipas ish-kreut të PD, e shoqja mori lajmin e keq nga stafi i burgut.

Ish-kryeministri theksoi se ai u arrestua për vjedhjen e 10 eurove, ndërsa vrasësit serial dalin një e nga një prej qelive.

Postimi i plotë i ish-kryeministrit

Bilbil Hasani vritet nga shteti!

Ai burgoset për 10 euro apo 12000 lekë të vjetra ndërkohë serial killer dalin njëri pas tjetrit nga burgu!

Miq, burgjet e narkoshtetit janë strofulla torturash dhe vdekje për të varfërit e Shqipërisë! Dy ditë më parë e shoqja e Bilal Hasanit shkoi të takonte të shoqin në burgun 313, i cili gjendej në paraburgim që nga dhjetori sepse kishte vedhur një portofol me 10 euro pra 12 mijë lekë të vjetra. Bilbili, baba i katër fëmijëve, prej 20 vitesh ishte invalid me KEMP për shkak të problemeve me shëndetin mendor. Zonja Hasani u njoftua nga personeli i Burgut se i shoqi kishte varur veten.

Me këtë rast theksoj se gjatë këtyre viteve janë bërë dhjetëra e dhjetëra raste të njerëzve të varfër që në burgjet e vendit në rrethana të errëta, më së shumti nga torturat fizike dhe psikologjike, kanë gjetur vdekjen. Rasti më i fundit është vrasje e mirëfillte shtetërore se mbahej prej tre muajve në paraburgim për 10 euro një njeri me kartelë klinike prej 20 vitesh për çrregullime mendore, ndërkohë që lirohen njëri pas tjetrit serial killer ose pronarë të magazinave prej 15-20 tonesh etj etj.

Të dashur miq, Bilbil Hasani është i burgosuri i fundit midis dhjetëra të burgosurve të tjerë që vetëvritet apo vritet në burgjet skëterrë të Shqipërisë.

Duke shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Bilbilit të ndjerë, dënoj me ashpërsinë më të madhe torturat shtazore fizike dhe psikologjike që ushtrohet ndaj të burgosurve të varfër në burgjet e narkoshtetit të Edvin Mafisë.

Ju bëj thirrje Komitetit kundër Torturës dhe Trajtimeve Çnjerëzore të Këshillit të Europës si dhe Komitetit të të Drejtave të Njeriut të OKB të ndërmarrin me përparësi një inspektim në Sistemin e burgjeve skëterrë të Shqipërisë dhe të konsiderojnë aplikimin e nenit 4 të Konventës ndërkombëtare kundër Torturës dhe sanksionet e merituara për regjimin e Edvin Mafisë. sb/a.m/noa.al