Alketa Vejsiu: Në Sanremo përfaqësova veten time
Transmetuar më 22-02-2020, 04:01

Prezantuesja e njohur dhe sipërmarrësja Alketa Vejsiu ndan eksperiencën e saj të fundit në festivalin Sanremo, ndërsa flet gjithashtu për përjetimet e një karriere në ngritje mes furisë së zërave kritikë.

"Kë përfaqësove ti në Sanremo, Alketa Vejsiu?" – pyeti drejtorja e lajmeve të Euronews Albania, znj. Ilva Tare të ftuarën e saj speciale.

"Unë mendoj që përfaqësova veten time. Ishte ëndrra ime. E gjithë eksperienca është raporti i Alketës me ëndrrën e saj. Unë jam e bindur që jo të gjithë njerëzit janë në frekuencën e lumturisë time sepse sot mund të numërojmë shumë njerëz që vuajnë dhe janë në spitale, shumë të tjerë mezi ia dalin që të mbyllin muajin shumë kanë sfidat e përditshme me fëmijët e tyre, dikush sentimentalisht nuk është në një moment të mirë emocional, dhe jo të gjithë mund ta kuptojnë këtë entuziazmin edhe gëzimin që përjeton dikush në raport me ëndrrën e tij," u përgjigj Vejsiu.

Megjithatë sipas prezantueses kjo nuk përbën arsye për të lënë pas mirësinë mes njerëzve.

"Ajo që unë dua të ndaj është patjetër që ti mund të mos jesh i lumtur për mua por kjo nuk do të thotë që ti duhet të jesh i lig dhe i keq. Patjetër që ka dy trena, ka një tren ekspres ku unë kam hipur që e vogël, kam punuar mbi këto vlerat për të cilat do të doja të flisnim siç ka edhe disa qerre të cilat tërhiqen nga njerëz regresivë," u shpreh Vejsiu.

Megjithatë sipas saj njerëzit publikë paguajnë vazhdimisht një çmim për famën, edhe ndonjëherë kjo përkthehet në komente jo shumë pozitive.

Prezantuesja vazhdoi më tej duke thënë se këto ishin në fakt ditë të lumtura për të.

"Këto janë ditët më të lumtura të jetës time. Jam shumë e gëzuar sespe kam jetuar një emocion të jashtëzakonshëm që pak e kanë mundësinë ta jetojnë. Nuk kam arsye për të qenë e mërzitur," tha Vejsiu.

"Zhurma ndaj meje është krijuar prej disa grupeve të vogla interesi"

"Më është bërë një gjyq publik, që është gati-gati absurd, nuk i detyrohem askujt asnjë shpjegim, nuk mendoj që kam përpara asnjë hetues, asnjë prokuror,” me këto fjalë komentoi prezantuesja dhe sipërmarrësja Alketa Vejsiu lumin e diskutimit, siç e quajti ajo të eksperiencës së saj në festivalin italian të muzikës, Sanremo.

Ajo tha megjithatë se ka vendosur të zbatojë këshillën e mentorit të saj mediatik, që tek publiku të përcjellë vetëm pozitivitet.

Vejsiu falënderoi gjithashtu median dhe publikun shqiptar për mbështetjen e ofruar ndaj saj.

“Dua të them vetëm fjalinë që me ka bërë të ndihem e mbushur dhe me zemrën plotë : “Ti frymëzon”. “Ti na bën të ndihemi krenarë”. Kaq më duhet nga e gjithë kjo përvojë. Kjo është ajo për të cilën punoj në fund të ditës. Kjo është duartrokitja për mua”, tha prezantuesja e njohur.

Vejsiu shtoi se asaj i kanë lënë përshtypje pozitive dy eksperiencat, si Festivali Kombëtar, ashtu edhe Sanremo.

“Mua më ka mbetur një ndjesi e mirë në zemër se mendoj që kjo zhurma që është krijuar nga grupe të vogla interesi bën më shumë zhurmë sesa e mira dhe kjo është sfida ime,” shtoi prezantuesja.

Sipas saj, zhurma e krijuar ishte një sinjal pozitiv për ringjalljen e festivalit, i cili vite më parë nuk diskutohej.

Alketa Vejsiu: Italia më dha atë që më takonte, duhen penalitete ndaj bullizmit dhe shpifjes në rrjetet sociale

Teksa iu referua titujve pozitivë në mediat italiane, prezantuesja tha se Italia i kishte dhënë atë që i takonte, gjithçka kishte ndodhur në mënyrë të natyrshme pa asnjë lloj menaxhimi nga pas.

“Tituj aq të ndryshëm dhe dashamirës janë vetëm rezultat i përjetimeve personale të gazetarëve italianë. Unë njoh vetëm mekanizimin e meritës dhe imponohem në një treg duke qenë se unë vlej me krenarinë e një shqiptareje të barabartë me të gjithë jo me stepjen e një shqiptareje që kujton gjithmonë se para 20 vitesh bashkëkombësit tanë iknin me gomone. Do ta them në çdo intervistë në Itali; Shqipëria jonë nuk është më ajo e gomoneve”, tha ajo.

Teksa iu referua vetëvrasjes së prezantuese së njohur britanike, Caroline Flack pas valës së kritikave dhe bullizmit në mediat sociale dhe tabloidë, Vejsiu bëri një paralele me Shqipërinë duke shprehur bindjen se aty ku tejkalohen kufijtë moralë dhe ka bullizëm, duhet patjetër të ketë penalitete të forta ndaj kujtdo.

“Liria jonë mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Sidomos kur je person publik. E kam thënë tek monologu i Jocker në festival. Jocker u vra nga sistemi, por edhe nga media. Të gjithë këta njerëz të papërgjegjshëm që iu është dhënë mundësia e fjalës, por nuk dinë ta përdorin siç duhet, gati-gati bëjnë një veprim kriminal.

Nuk është vetëm e turpshme, por është kriminale. Duhen sanksione, duhet të ketë ligje. Është kauza e Ciara Ferragni që njerëzit pas Instagram dhe Facebook duhet të kenë karta identiteti, nuk mund të vazhdojë ajo lufta e profileve ‘fake’ që duan të intimidojnë njerëz që nuk ju kanë asnjë borxh dhe asnjë faj. Deri atje ku është kritikë dhe argument është e durueshme, është OK, patjetër që po.

Janë të mirëpritura argumentet. Por aty ku tejkalohen kufijtë moralë dhe ka bullizëm, duhet patjetër të ketë penalitete. Kjo është kostoja më e madhe e kohës sonë. Do të kisha dëshirë ta nisja unë një betejë të tillë në Shqipëri. Kam një betejë shumë të madhe me ‘fake news’, është e rëndë, urgjente”, tha prezantuesja.

Loading...