Transmetuar më 21-02-2020, 21:25

Në lidhje me përplasjet politike mes Presidentit të Shqipërisë dhe kryeministrit Rama, ka reagime dhe komente nga më të ndryshmet.

Vendi ynë nuk ka Gjykatë Kushtetuese për interpretim por as ekspertë të nivelit të lartë, pasi fare mirë ata do të merrnin funksione publike, në rast boshllëqesh siç ka ndodhur  aktualisht te drejtësia.

Megjithatë, Shqipëria ka mjaftueshëm gazetarë,  analistë dhe komentatorë, të cilët i japin të drejtë njërës palë, ose palës tjetër.

Gazetari i njohur Bledar Koka shprehet se mazhoranca, përmes procesit të hetimit të Presidentit kërkon të kapë Gjykatën Kushtetuese.

I ftuar në studion e Ora News ai bën një krahasim mes Shqipërisë dhe Venezuelës e cila ndodhet në një krizë politike dhe paralajmëroi kryeministrin Rama, se nëse nuk tërhiqet, por mazhoranca vazhdon me këto ritme, populli shqiptar do të vuajë për bukën e gojës si Venezuela.

“Të gjithë nuk merren me thelbin e problemit. Këtu ka një tentativë të drejtpërdrejtë të mazhorancës për të kapur Gjykatën Kushtetuese”, tha Koka.

“Kur ke Gjykatën Kushtetuese në kontroll ti  mund të komandosh shtetin. Për momentin kapja e kësaj gjykate vjen në kuadrin e një vendimi që është marrë nga komisioni hetimor të ndërmarrë nga mazhoranca për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Në momentin që ky vendim do të merret pa një shumicë me 8 anëtarë që ka Gjykata Kushtetuese, atëherë kjo është një tentativë e drejtpërdrejtë për të kapur institucionin e Presidentit të Republikës”, shtoi ai.

Madje Bledian Koka, bëri edhe një historik.

“Filloi që në vitin 2017 në momentin kur në shkelje të kushtetutës dhe parimeve që parashikon reforma në drejtësi. Ne po diskutojmë mbi një kufomë legale që është reforma në drejtësi kërma e së cilës po shkatërron shtetin shqiptar. Të gjitha këto institucione kontrollohen nga një njeri i vetëm, Edi Rama.”

Bledian Koka mendon se Ministrja e Drejtësisë ka bërë skandal me emërimin në Kushtetuese.

“ Rasti i denoncimit të Presidentit të Republikës me skandalin që ka bërë ministrja Gjoni duke nxjerrë njerëzit të shtunën në punë për të replikuar dhe për të bërë të mundur që në Gjykatën Kushtetuese mos të shkojë njeriu që i takon Presidentit ta zgjedhë, që duhet të ishte Marsida Xheferllari por do të çojë kandidaten që për turpin e dynjasë shkoi dhe u betua tek ura e Lanës”.

Prandaj ai thotë se palët duhet të merren vesh dhe të emërojnë në Kushtetuese njerëzit e tyre, sipas ndonjë marrëveshjeje, ashtu si deri tani. Ndryshe, kjo është një këmbanë, thekson Koka, pasi “ngjan me rastin e Venezuelës ku kemi një president despot, që ka kapur dhe paralizuar vendin. Dhe kemi një njeri tjetër që në krye të opozitës po mundohet t’i rikthejë institucioneve legjitimitetin që populli mos të vuajë për bukë në vitin 2020. Ne nuk jemi në këtë pikë por nëse vazhdohet me këto ritme dhe institucionet kapen nga mazhoranca do të përfundojmë për copën e bukës si Venezuela”.

Bledian Koka u kundërshtua nga ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, mbi idetë e tij, sesi duhet të funksionojë Gjykata Kushtetuese. /NOA.al