Transmetuar më 21-02-2020, 12:41

Gjatë konferencës për sfidat dhe zgjidhjet në shëndetësi, kryedemokrati Lulzim Basha tha se buxheti i shtetit për shëndetësinë është 115 dollarë për frymë, ose tre herë më pak se Bosnja.

Ai denoncoi se nuk janë koncesione dhe PPP, por se janë vjedhje me kosto 35-40 milionë euro në vit.

“Me këtë shumë sistemi shëndetësor mund të sillet në parametra të pranueshëm. Problemet janë të qarta. Nisin dhe bazohen mbi gënjeshtrën e madhe të shëndetësisë falas. Shëndetësi falas nuk nuk ka dhe nuk mund të ketë. E ka thyer ne mes shëndetësinë. Centralizimi i sotëm ka tejkaluar edhe parametrat e regjimit komunist”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se arsyeja nuk qëndron tek mungesa e vizionit, por tek vjedhja e qeverisë, tek paaftësia dhe keqmenaxhimi i institucioneve shëndetësore, keqpërdorimi politik i tyre, gjë që është kriminale.

Basha premtoi rritjen e pagave në 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët, për të parandaluar largimet, ndonëse tha se nuk premton dot standardet e Zvicrës dhe Gjermanisë në këtë fushë.

Ai tha se në qeverisjen e PD, do të rritet numri i barnave të rimbursueshme dhe se në Shqipëri do të futen vetëm barna nga vende të origjinës së sigurte, që nuk dëmtojnë shëndetin e shqiptarëve.

Sipas tij, nevojitet liberalizim i paketave shëndetësore sipas nevojave të pacientit dhe se shqiptarët nuk do të blejnë më barna nga xhepi dhe nuk do të duhet të paguajnë bakshishe nen dorë. /a.y/noa.al