Transmetuar më 19-02-2020, 13:23

E ka nisur me një ndjesë për vonesën Kreu i shtetit, Ilir Meta konferencën për mediat ku sikundër u shpreh do të denoncojë provat e reja për grushtin e shtetit që po përgatitet në vend me ligjin për betimin e gjyqtarëve. Meta tha se zhvilloi një takim me ambasadoren e re të Kanadasë në vendin tonë, të cilën e ka informuar për situatën e demokracisë në vend, ndërsa nuk la pa shigjetuar kolegët e saj, të akredituar më parë në vendin tonë.

“Isha në një takim me ambasadoren e Kanadasë,e cila ishte e interesuar për demokracinë në Shqipëri. Jam i lumtur që e nis bisedën me demokracinë. Koha vajti më gjatë se duke folur për ‘role of laë’, dhe zonja nuk po kuptonte dot gjë, dhe i thash të takoj gazetarët se ka kolegë të tjerë që kanë vite këtu dhe sduan të kuptojnë” u shpreh Meta, ndërsa theksoi se Kanadaja është një partner i rëndësishëm për Shqipërinë.

Meta ka dalë sot në konferencë për të publikuar të tjera prova për atë që ai e quan grusht shteti nga qeveria. Në fjalën e tij ai tha se kryeministri Edi Rama është ideatori dhe ekzekutori i këtij grushti shteti dhe do jetë ai që do mbajë përgjegjësi para popullit shqiptar.

“Jam sot këtu për të denoncuar prova të reja të përpjekjes së gjysmë parlamentit për të hedhur hapin final të grushtit të shtetit. Dokumentet tregojnë qartë, se nga e kanë marrë ligjin. Ai do të jetë përgjegjësi i parë, para popullit dhe drejtësisë së re. Iniciativa për kapjen e Gjykatës Kushtetuese është nga kryeministri, që është ideatori i këtij puçi shteti. Gjysmëparlamenti i deledeputetëve në relacionin e tij që shquhet për gënjeshtra dhe mashtrime, thotë se kjo nismë, që për të bërë betimin në kafene apo buzë Lanës ka marrë aprovimin e KLP, KLGJ, Magjistratura, Fondacioni Soros ministria e Drejtësisë, etj. Këto përgënjeshtrohen, në radhë të parë nga Dvorani, që thotë se nuk ka dhënë asnjë mendim në mbështetje të këtij grupi shteti. Dhe unë këtu e duartrokas, se veproi në përputhje me ligjin", u shpreh Meta.

Më tej ai shtoi se, "Këtu kemi një përgënjeshtrim tjetër të gjysmë parlamentit që dhunojnë kushtetutën dhe popullin, ku thotë se shkolla e magjistraturës nuk ka dhënë opinion. Falënderoj dhe z. Sadushi për bashkëpunimin. Tani vijmë të KSHH, i cili vlerëson se betimi nuk mund të kryhet në formë të shkruar, pasi është një akt i lartë solemniteti, atributet që kushtetuta i ka caktuar një organi. Sepse ligji është në zbatim të kushtetutës, jo në përdhunim të Kushtetutës. Ndaj akti i betimit duhet bërë vetëm para këtij institucioni, dhe në vlerësimin tonë, forma e propozuar përvec se nuk është tipike, shmang një kompetencë ekskluzive”.

Një ditë më parë, Presidenti Ilir Meta tha se pas Ardian Dvoranit, të tjerë zyrtarë janë implikuar në grushtin e shtetit. Ilir Meta ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme kallëzim shtesë ndaj kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ardian Dvorani.

Kreu i Shtetit e akuzon kryetarin e KED për thellim të veprave penale “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe për të cilat paraqet disa prova shtesë që sipas tij, faktojnë shkeljet e kryera në procesin e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Meta i referohet një korespondence zyrtare shkresore të realizuar mes kreut të KED dhe Kuvendit të Shqipërisë ku Dvorani informon legjislativin mbi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese./b.l/noa.al/

Meta “kërcënon” Ramën: Në 2 mars populli në bulevard! Të porosisin poturre të gjera