Transmetuar më 18-02-2020, 23:24

Borusia Dortmund fitoi 2-1 nga “Iduna Park” ndaj PSG-së, duke krijuar një avantazh minimal para ndeshjes së kthimit kundër një prej skuadrave pretendente për fitoren e ligës së Kampioneve.

Skuadra e Lucien Favre i ka besuar gjithçka talentit të Erling Haland dhe ai nuk ka zhgënjyer, duke treguar përballë një prej atyre që ka si shembull në karrierë, Kilian Mbape, se do të jetë një rival i denjë për të në të ardhmen. Pikërisht norvegjezi ishte ai që theu heshtjen në rezultatin mes dy skuadrave me golin e tij në minutën e 69 të duelit duke gjetur më në fund të çarën para Navas.

Goli i barazimit i Nejmar, i kthyer pas dëmtimit të gjatë, mendohej se hapi gjithçka, por ishte përsëri sulmuesi 19-vjeçar ai që la shenjë në këtë duel duke shënuar me një predhë në hyrje të zonës pak çaste më vonë për të vulosur fitoren 2-1 të Borusias në këtë ndeshje të parë.

Borusia Dortmund-PSG 2-1

Shënues: 69′, 77′ Haland / 75′ Nejmar

Borusia Dortmund: Burki, Zagadu, Humels, Pizhçzhek, Hakimi, Guerriero, Emre Xhan, Vitsel, Sanço, T. Hazard, Haland. Trajner: L. Favre

PSG: Navas, T. Silva, Kimpembe, Munie, Kurzava, Markinjos, Verrati, Gueje, Nejmar, Di Maria, Mbape. Trajner: T. Tuhel

Atletiko Madrid i mjaftuan 4 minuta lojë për t’i fshirë kujtimet e bukura të trofeut Champions Liverpulit në “Uanda Metropolitano”. Në stadiumin ku të kuqtë vitin e kaluar ngritën lart Ligën e Kampioneve, ata njohën disfatë përballë vendasve, falë një goli shumë të shpejtë të tyre.

Saul realizoi që në minutën e 4-t të sfidës duke i dhënë një avantazh spanjollëve të cilët më pas të udhëzuar në perfeksion nga Simeone ditën se si të mbanin larg porte sulmin e rrezikshëm të kampionëve në fuqi.

Për më tepër, ishin vendasit ata të cilët me kundërsulme rrezikuan disa herë të shënonin golin e dytë të ndeshjes, me mbrojtjen e Liverpulit që nuk ishte edhe aq hermetike sa është shfaqur në ndeshjet fundit. Ndonëse Klop provoi në të gjitha mënyrat të ndryshonte lojën e skuadrës, rezultati 1-0 rezistoi deri në fund dhe Atletiko Madrid doli me një rezultat shumë të rëndësishëm nga fusha e vet, në pritje të vizitës në “Anfield”.

Atletico Madrid-Liverpul 1-0

Shënues: 4′ Saul

Atletiko Madrid: Oblak, Tomas, Felipe, Saviç, Vrsaljko, Lodi, Koke, Saul, Lemar, Morata, Korrea. Trajner: D. Simeone

Liverpul: Alison, Van Dajk, Gomez, Robertson, Aleksander-Arnold, Henderson, Fabinjo, Vijnaldum, Salah, Firmino, Mane. Trajner: J. Klop