Mbyllet mes polemikave në “San Siro”, një penallti në fund i jep barazimin Juventusit! (VIDEO)
Transmetuar më 14-02-2020, 01:12

Milan-Juventus mbyllet mes polemikave. Barazim 1-1 në “San Siro”, me bardhezinjtë që i janë falur në fund Cristiano Ronaldos.

Sfidë mjaft e mirë e kuqezinjve nga ana tjetër, që krijuan disa raste përpara se të kalonin në avantazh në minutën e 61-të me anë të Ante Rebic.

Kroati shfrytëzoi në maksimum një krosim të Castillejos për të mposhtur Buffon dhe për t’i dhënë avantazhin të tijve.

Humori i Milanit u prish në minutën e 72-të, kur Theo Hernandez mori kartonin e dytë të verdhë dhe la ekipin e tij me 10 lojtarë. Kontestimet ishin të shumta në “San Siro” për arbitrin Valeri, por më së shumti për kartonin e parë të Theos se sa kartonin e dytë.

Juventus e shtoi presionin dhe në minutën e 90-të erdhi momenti i bardhezinjve. Një top i prekur me dorë nga Calabria nuk vihet re nga arbitri Valeri, por nuk shpëton nga syri i VAR. Pas vëzhgimit në VAR, vendimi është i prerë dhe ka penallti për Juventusin. Cristiano Ronaldo paraqitet te pika e bardhë dhe tregohet i saktë.

Barazim 1-1 në gjysmëfinalen e parë, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e dytë, edhe pse Juventus shkon dukshëm i favorizuar, pasi Milan do të vuajë mungesën e Ibrahimovic dhe Theo Hernandez.

Loading...