Transmetuar më 13-02-2020, 23:27

Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhënien e tij me ish-kryebashkiakë dhe ish-ministra, të akuzuar nga drejtësia.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Rama foli për mënyrën se si janë menaxhuar akuzat e drejtuara ndaj anëtarëve të Partisë Socialiste, ku disa janë shkarkuar dhe disa janë duke u përballur me drejtësinë. Megjithatë, çështja shtrohet pse ata janë mbështetur dhe a po mbështeten akoma nga kryeministri Edi Rama?

Kur u pyet për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, Rama u shpreh se e ka përjashtuar atë që të përballet me drejtësinë.

Për ish-kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i cili doli në përgjimet e dosjes “339”, tha se e ka mik, madje shtoi se edhe në burg po të shkonte Dako, sërish ai do të ishte miku i tij.

Robert Rakipllari i tha se Vangjush Dako, kryebashkiaku i Durrësit është përfshirë në korrupsion, por kryeministri  saktësoi se ai është “ish…”

“Ç’rëndësi ka, ai është i përfshirë në korrupsion të lartë. I ndalohet hyrja në SHBA dhe ti vazhdon të rrish me të….çfarë qëndrimi ke ti?, iu përgjigj gazetari Rakipllari.

“Ore, e do troç ti? Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Ua…..më dëgjo. Edhe në burg të shkojë nesër, do të jetë prapë miku im. Me Dakon nuk ka bërë kurrë, as kam kërkuar as s’i kam kërkuar ndonjë shkelje”, – u shpreh  Rama.

“Mua mos më gjykoni nëse dikush bën diçka në shkelje të ligjit. Më refuzoni kur unë shkel ligjin”, tha Rama më tej, lidhur me pyetjet, teksa Fevziu i kujtoi se “ambasadori të tha mos i vendos në Bashki, ti i vure”.

“Po nuk vendos gjë unë…këtu drejtori i tatimeve u dënua dhe qëndroi në detyrë deri në fund, sepse sipas paraardhësit tim, deri në vendimin e prerë ai është i pafajshëm”, tha kryeministri, duke bërë edhe një krahasim.

Kur u pyet për Saimir Tahirin, kryeministri u shpreh: Tahirit iu kërkua të futej në burg 48 orë pasi një kazan në përgjime të letrave të prokurorisë italiane doli në gazetë. Çfarë bëra unë? Në burg? Jo atje s’do ta çoni por i thashë: Ti Sajmir, tashi do dalësh nga këtu, nuk je më pjesë e PS-së, nuk je më pjesë e selisë tonë. Avokatin nga unë mos prit, shko dhe bëj drejtësi. Kush e ka bërë këtë në Shqipëri? Asnjeri”./NOA.al