Transmetuar më 13-02-2020, 21:58

Opozita kërkon sqarime nga kryeministri për një makinë të blinduar sipas saj me të cilën udhëton kreu i qeverisë, Edi Rama, në pronësinë e të vëllait, por vetë Edi Rama mohon që makina të jetë e tillë.

Në studion e “Opinion”, kryeministri Rama shprehet se makinën ia ka dhuruar vëllai që në vitin 2009.

Pjesë nga biseda:

Rama: Njëri nga ata të fushës të çohet nga studioja dhe të shkojë dhe të shohi nëse makina është e blinduar apo nuk është e blinduar.

Fevziu: Është makina e vëllait tuaj.

Rama: Po e vëllait është. Një nga ata të fushës të çohet tani shkojë ta verifikojë nëse makina është e blinduar.

Artan Hoxha: E kemi blinduar që kur erdhëm!

Rama: Mirë ishte t’i bënit verifikimin përpara se t’i bënit blindimit.

Fevziu: E ka thënë opozita. Se gazetarët nuk kanë pistoleta në dorë që të provojnë.

Rama: Makina nuk është e blinduar. Është e vitit 2009. Ma ka sjellë im vëlla kur kam qenë në opozitë. Ka dalë një lajm që kam blerë një makinë të re qindra mijëra euro. Kam çuar makinën e stërkonsumuar në servis dhe kam marrë me qira një makinë nga servisi. Unë përdor atë makinë sepse nuk kam dashur t’i kushtojë para…Siç e dini nuk di t’i japë makinës, di t’i japë vetëm makinës së qeverisë. Nuk kam asnjë makinë të blerë si kryeministër. Makina që thonë se është Benz i ri me raketa brenda, është makina që të jep servisi kur jep makinën tjetër…

Kryeministri Edi Rama është përplasur me gazetarin Blendi Fevziu, sa i përket manipulimit të një sondazhi, të bërë nga “Opinion”, për të kuptuar sa njihen ministrat nga qytetarët shqiptarë.

Ndërkohë  Fevziu iu përgjigj se shumica e IP të kompjuterëve ishin nga selia e PS-së.

Rama: Keni harxhuar kohën e telespektatorëve për një pseudo sondazh, duke iu thënë njerëzve që ministrat e kësaj qeveria kanë ndërmarrë një operacion për të rritur pëlqyeshmërinë  e tyre në atë pseudo sondazh. Së pari duhet t’i thoni njerëzve që ai është thjesht një anketim për ata që ndjekin një emision apo gazte. Ata janë njerëz që janë të motivuar që shkruajnë, ata që e ndjekin emisionin dhe janë të pamotivuar, nuk shkruajnë

Është e pavërtetë që në atë sondazh ka pasur ndërhyrje nga ministra apo stafe të tyre. E kemi vërtetuar. Në një vend tjetër, nëse do të ndodhte diçka e tillë, do të bëhej hetim sepse atë gjë mund ta bëjnë edhe forcat që duan të diskreditojnë qeverinë  e një vendi. Unë nuk mendoj që janë forca të huaja, mendoj që janë forca të brendshme. Është një gënjeshtër.

Fevziu: E patë ju vetë emisionin?

Rama: Unë nuk shoh emisione

Fevziu: Meqë nuk sheh emisione, ne bëmë testim në tre pjesë, nuk thamë sondazh, por testim. Testimin  e parë e bëmë duke nxjerrë gazetarët për të pyetur qytetarët në rrugë.

Rama: Qytetarët në rrugë varet kush qëllon

Fevziu: Sigurisht kush qëllon, qëlloi edhe Basha

Fevziu: E dyta i nxorëm me letër në dorë me fotografitë e ministrave. E treta IP e përdorura, një pjesë e tyre location e kanë te partia socialiste, në selinë e PS.

Rama: Është gënjeshtër. Në selinë e PS, tani që flasim, aty ku do vendoset i gjithë operacioni dixhital, është kantier ndërtimi

Fevziu: Pse asnjë kompjuter nuk ka në PS?

Rama: Ekipi që merret me këtë punë, nuk është në PS.

Fevziu: Herën tjetër shiheni emisionin para se të dilni në përfundime…

/NOA.al