Transmetuar më 11-02-2020, 11:10

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke dhënë detaje për takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se dëshiron që në këtë dekadë të tretë të ketë një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona.

Ai thotë se kërkon një bashkëpunim me Shqipërinë madje dhe ngritjen e një komisioni ndërshtetëror për të vijuar marrëveshjet dhe për t’i dhënë dy vendeve ato që qeveritë e mëparshme nuk ja kanë dhënë.

"Ju faleminderit shumë i nderuar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Jam i gëzuar që ndodhem në Tiranë. Dhe një orë dhe bëhet një javë që jam kryeministër. Vendi i parë si kryeministër që vizitova ishte Prekazi i Adem Jasharit, qyteti i parë Mitrovica dhe shteti i parë padyshim Shqipëria.

Dua që me këtë dekadë të tretë të shekullit të 21 të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë- Shqipëri çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve. Janë prioritet i njëra- tjetrës dhe nuk presin asnjë fushë", u shpreh Kurti.

Më tej ai ttheksoi se, "Duam të formojmë një komision ndërshtetëror që ato 77 marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani, të zbatohen por dhe të shtohen. Të shtojmë bashkëpunimin dhe bashkërendimin. Me këtë rast dua të falenderoj Shqipërinë dhe popullin shqiptar për përkrahjen e pakursyer ndaj Kosovës.

Kosova nuk do ia dilte në luftën apo dhe në paqe ndaj Serbisë pa Shqipërinë. në shekullin e 21 duam të ecim bashkë, shpejt, fuqishëm. Duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë, arsimit, sigurisë dhe politikës së jashtme. Këto janë fushë ku i kemi preokupimet e njëjta dhe aleteatët tonë demokratikë dhe perëndimorë. Do e dëshmojmë si dy kryeministra në avancimin tonë ndërshtetëror. Këtë do ta ketë rastin pikërisht me ne".

Pyetur për Shengenin Ballkanik, e nëse në të ardhmen Kosova do të jetë pjesë, Kurti dha këtë përgjigje: “Ky ishte takimi ynë i parë ka edhe shumë tema që do t’i trajtojmë në të ardhmen e mund të them që e trajtuam shkurtimisht, meqënesë takimi ynë ishte më parë për makroshengenin shqiptar sesa për minishengenin ballkanik”./b.l/noa.al/

Rama në konferencë me Kurtin: Dy qeveritë mblidhen në Shkodër