Transmetuar më 25-01-2020, 14:45

Kreshnik Çollaku, këshilltari i Partisë Demokratike ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama që urdhëron mësuesit e shkollave urdhërohen të bëjnë propagandë.

Me anë të një shkrimi në Facebook, ai tregon se mësuesit janë detyruar të shpërndajnë në rrjete sociale aktivitetin e kryeministrit. Për këtë i referohet inaugurimit të shkollës së Surelit, ku pranë Ramës ishte kryebashkiaku Veliaj dhe deputeti i zonës.

"Sot përmes Drejtorit të ZVAT (zyra vendore arsimore tirane), janë urdhëruar të gjithë Drejtorët e Shkollave në Tiranë, të detyrojnë të gjithë mësuesit e Tiranës të shpërndajnë në rrjete sociale aktivitetin e ditës së Kryeministrit", shkroi Çollaku.

Këtë e cilësoi si një propagandë të neveritshme që vërteton se në Shqipëri është instaluar regjimi. Madje theksoi se këto sjellje janë të denja vetëm për Korenë e Veriut.

"Kjo propogandë e neveritshme që qelb erë nga epoka e Lenka Cukos është provë e degradimit të plotë të sistemit arsimor, dhunimi flagrant i shtresës më të vyer të shoqërisë mësuesit, është një provë se në Shqipëri është instaluar Rregjimi. Sjellje të tilla janë të denja vetëm për Kore të Veriut", përfundoi Çollaku.