Transmetuar më 23-01-2020, 22:06

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur mbrëmjen e sotme mbi një takim midis kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, në një shtet mik të Shqipërisë, për të arritur marrëveshjen mes tyre.

I ftuar në “Opinion”, Berisha e mohoi këtë duke e konsideruar lajmin si propagandë të zyrës së Kryeministrisë.

"A jeni në dijeni që z.Rama dhe z.Basha janë takuar këtë janar në një shtet mik të Shqipërisë? Dmth një takim që mund të shënojë 6 vjetorin e një marrëdhënie të veçantë? E kam fjalën për janarin e 2020-s? Në dijeninë tuaj ose mbas shpinës tuaj" ishte pyetja e Lorenc Vangjelit.

"Keqardhja ime është që bie viktimë e zyrës Fuga. Me të gënjy Fuga ty Lorenc? Ti mund ta mashtron Fugën një mijë herë por jo ai ty. Të të viktimizojë Fuga është me shku njeriu kot", u përgji Berisha.

Berisha pranoi se opozita nuk e realizoi dot rrëzimin e Edi Ramës.

– “Pas një vendimi ekstrem dhe pa precedentë opozitës shqiptare, siç ishte djegia a mandateve, Kushtetuta njeh të drejtën e parlamentarit për të hequr dorë nga mandati. Qëllimi i opozitës për këtë vendim përveç background-it që aty nuk kishte mjedis parlamentar së pari një sensibilizim shqiptar dhe ndërkombëtar për dramën e parlamentarizmit në Shqipëri, së dyti rrëzimi i Ramës dhe së treti një qeveri teknike që të çonte vendin në zgjedhje", tha Berisha.

"Nuk po them që opozita i realizoi qëllimet e veta," – shtoi Berisha – "por një gjë mund ta them. Opozita realizoi damkosjen shqiptare dhe ndërkombëtare. Ndryshe opozita futej në një rreth të kuq që nuk dilte kurrë. Kjo nuk ndodhi. Kjo jo sepse u pëlqye veprimi i opozitës, por sepse opozita u përball me një njeri që nuk njihte asnjë normë dhe asnjë standard".

"Po ta vini re dialogu me ndërkombëtarët vijon normalisht sikur nuk ka ndodhur gjë. Opozita nuk e realizoi dot rrëzimin e Edi Ramës dhe zgjedhjet e reja. Ky është realiteti. Opozita nuk kishte qëllim vetëvrasjen. Qëllimi i opozitës ishte rrëzimi i Ramës, por opozita nuk arriti të trajtojë revoltën e madhe popullore që ekzistonte me mosbindjen civile që t’i jepte shkelmin Edi Ramës përfundimisht".

Ish-kryeministri shtoi se "asnjë faktor ndërkombëtar nuk merrte përsipër të mbronte Ramën nëse opozita gjente rrugën e duhur të mosbindjes civile. Unë mendoj se opozita duhet të stacionohej në bulevardin dëshmorët "me të apo mbi të" pa ndërprerje.

"Opozita kishin një strategji, por nuk realizoi dot fitoren. Faktori ndërkombëtar? Ua kisha thënë miqve që nuk duhet të prisnim për mbështetje dhe as të mos zemëroheshim për kritikat pas vendimit të djegies së mandateve", – theksoi Berisha, i cili shtoi se – "nuk kishte skenar për ta përmbysur me dhunë Ramën./NOA.al