Trajneri i ri i të kuqve, Adolfo Sormani e nisi me një humbje 3-2 në Korçë eksperiencën e tij të dytë me kryeqytetasit.
Skënderbeu-Partizani, i kishte të gjitha në fushë. Emocione, spektakël, gola, autogola, penallti të realizuara, të humbura, si dhe kartonë të kuq.
Kampionët e Shqipërisë e panë veten shumë shpejt në avantazh me një gol të realizuar me 11-metërsh nga Bruno Telushi, pas vetëm 7 minutash lojë, ndërsa penalltia ishte e dyshimtë.
Më pas ndeshja u dominua nga skuadra e Ilir Dajës. Kartoni i dytë i verdhë që mori Ron Broja në minutën e 39-të ia lehtësoi punën Skënderbeut. Eneo Bitri në të 43-ën shkaktoi një autogol të çuditshëm. Dy minuta më vonë Blerim Krasniqi përmbysi shifrat duke kaluar Skënderbeun në avantazh. Në minutën e 71-të gjyqtari Beqiri akordoi penalltinë e dytë në favor të Partizanit, për prekje me dorë të kapitenit të Skënderbeut Bruno Dita, por pamjet tregonin se topin e kishte prekur në kokë lojtarin e korçarëve.
Protestat e shumta të Ditës dhe të futbollistëve të Skënderbeut nuk ndryshuan vendimin e gjyqtarit, por këtë herë nga 11-metra distancë Telushi e çoi topin jashtë portës së Koliçit. Fitoren e Skënderbeut e hipotekoi Dejvi Bregu, me një supergol në minutën e 82-të, ndërkohë që në shtesë kishte vend edhe për golin e dytë të Partizanit që mban firmën e Lorenc Trashit, pas një devijimi të Ditës. Një fitore e madhe kjo për Skënderbeun që u ngjit në kuotën e 24 pikëve.
"Mendoj se kemi bërë një ndeshje mjaft të mirë. Rezultati nuk i tregon këto. Nuk jam dakord që kemi luajtur vetëm 40 minuta. Skuadra më ka pëlqyer. Nëse do të kishim shënuar penalltinë e dytë të Telushit, mund edhe ta fitonim ndeshjen. Në përgjithësi skuadra më ka pëlqyer përveç rezultatit", u shpreh trajneri i Partizanit pas ndeshjes.
"Kampionati duket nga renditja që është i ekuilibruar. Për të fituar një ndeshje duhet të jesh konstant dhe i përqendruar. Mendoj që kemi humbur një ndeshje ku kemi bërë mjaft mirë dhe meritonim diçka më tepër", theksoi Sormani, pas humbjes në Korçë.
Edhe Laçi mposhti sot brenda në Niko Dovana Teutën falë një gol të Radolf Turkaj. Me këtë fitore Laçi barazoi pikërisht durrsakët por edhe Partizanin e Tiranën, në kuotën e 28 pikëve./NOA.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd