Transmetuar më 21-01-2020, 17:08

Në protestën e 21 janarit 2011, kur opozitë ishte Partia Socialiste, humbën jetën katër protestues.

Këtë ngjarje e ka sjellë sërish në vëmendje Presidenti Ilir Meta duke e cilësuar tragjike faktin që opozita përdor dhunën për të arritur objektivat.

"Nuk kemi asnjë arsye për t’u krenuar. Është një ngjarje që na kujton se sa tragjike është kur opozita përdor dhunën për të arritur objektiva politike të pandershme. Dhe se sa e rëndë është kur instrumentalizohen qytetarët për qëllime të tilla, sidomos kur nxiten në rrugën e dhunës. Kjo ngjarje na kujton se duhet të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga dhuna si një mjet i arritjes së qëllimeve politike", tha Meta në ‘Abc News’.

Presidenti shtoi se kjo datë ka rëndësinë e vet sepse është dita e Kongresit të Lushnjes.

"Ne sot kemi 100-vjetorin e kësaj ngjarjeje, më e rëndësishmja pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, pasi në vetvete është një rivendosje e pavarësisë dhe e organizimit të shtetit shqiptar dhe e të gjitha institucioneve, por edhe një fillim i parlamentarizmit në Shqipëri. Në këtë drejtim është një nga ditët më të rëndësishme të shtetformimit tonë dhe që na kujton se sa e rëndësishme është që të forcojmë institucionet", shtoi Presidenti. /a.m/noa.al/