Transmetuar më 21-01-2020, 12:07

“Emërimi antikushtetues dhe i paligjshëm i Artur Metanit është kapja e plotë e sistemit të drejtësisë nga Edi Rama”. Kështu u shpreh sot në një prononcim për mediat sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata.

Ai theksoi se me urdhër të Edi Ramës, Parlamenti emëroi në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të organeve të drejtësisë, Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, shërbëtorin, vartësin e Kryeministrit, Artur Metanin, vëllanë e deputetes ish-ministre, duke shënuar kapjen edhe të një institucioni tjetër të drejtësisë.

"Ky emërim, siç e kemi konstatuar e denoncuar edhe më parë, vjen në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e Republikës. Kjo shkelje e rëndë ka filluar që nga kualifikimi i paligjshëm i kandidaturës së Metanit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, të kontrolluar nga shërbëtori Ardian Dvorani, duke u sanksionuar nga Parlamenti me një votim partiak. Për të emëruar vartësin e Edi Ramës në krye të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, u shkelën kriteret bazë kushtetuese dhe ligjore", u shpreh Gjata.

Më tej ai shtoi se ky emërim nga Parlamenti është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”. "Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 147/d, parashikon se “Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit”.

Sipas tij "Si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, edhe Parlamenti kanë shkelur me vetëdije  ligjet dhe Kushtetutën, duke qenë në dijeni të plotë të faktit ndalues se Artur Metani në 10 vitet e fundit ka qenë “funksionar politik”, si pjesë e Kabinetit të Presidentit të Republikës. Kjo është shkelja më e rëndë nga Parlamenti në emërimin e Artur Metanit. Por kur bëhet fjalë për njeriun besnik të Kryeministrit Parlamenti mbyll sytë dhe voton në një akt nul, antikushtetues!"

Në fund Gjata shprehet se "Ka kohë që ne kemi shtruar çështjen se përse u bë gjithë kjo reformë në drejtësi. Për  faktin që qeveria të mbajë sa më larg duart nga drejtësia. Por me Edi Ramën kjo është e pamundur. Koha po provoj atë që Partia Demokratike paralajmëroi që prej fillimit:

I vetmi synim i Edi Ramës me reformën në drejtësi është kontrolli i plotë i saj dhe jo drejtësia e pavarur në shërbim të qytetarëve. Sot askush nuk beson më në pavarësinë e organeve të reja të drejtësisë nga Kryeministri, i cili po i kthen ato në organe private të tij. E vetmja rrugë për shpëtimin e reformës në drejtësi është largimi i Edi Ramës"./b.l/noa.al/