Transmetuar më 20-01-2020, 20:06

Në seancën e sotme parlamentare, Artur Metani u miratua me 98 vota pro si kryetar i ILD. Për këtë, ka reaguar opozita jo parlamentare duke e cilësuar emërimin e tij si dështim të reformës në drejtësi.

"Sot u emërua si Inspektor i Lartë i Drejtësisë vartësi i Edi Ramës, vëllai i ish ministres dhe deputetes së tij. Artur Metani, që duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë nga politika, u emërua sot në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Sot është një ditë e keqe për demokracinë dhe drejtësinë në Shqipëri", thuhet në deklaratën e PD.

Partia Demokratike e quan kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet duke e cilësuar si një emërim partiak.

"Vartës i Edi Ramës për vite me radhë, Artur Metani nuk do t’i shërbejë drejtësisë së pavarur. Ai është emëruar aty për të qenë  shërbëtor i Edi Ramës. Me këtë emërim Edi Rama investohet personalisht kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve që gjykojnë dosjet e korrupsionit, vjedhjen e votave nga qeveria e Edi Ramës apo lidhjet e tij me krimin e organizuar.  Emërimi i Artur Metanit, një militanti partiak, vartës i Ramës, vëlla i deputetes dhe ish ministres së Ramës është një tjetër zhgënjim i thellë për të gjithë shqiptarët që prisnin drejtësi të pavarur nga reforma në drejtësi e cila, me hapin e sotëm është pranë vdekjes klinike", përfundon Partia Demokratike.

ILD është një nga pikat kyçe të sistemit të drejtësisë, që verifikon dhe nis hetime për të gjithë gjyqtarët, prokurorët, si dhe për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqesor dhe atë të Prokurorisë./a.m/noa.al