Transmetuar më 20-01-2020, 10:40

Çifti i biznesmenëve Petrit dhe Aferdita Laze që u plagosën mbrëmë me armë zjarri nga dy persona të armatosur që u futën për t’i grabitur, kanë dalë nga rreziku për jetën.

Gjendja e 61-vjeçarit që mori një plumb në bark, pas daljes nga ndërhyrja kirurgjikale është stabilizuar, po ashtu edhe e gruas së tij, që ka një plagë në kofshë nga të shtënat e njërit prej autorëve të grabitjes.

Kjo e fundit ka dhënë edhe dëshminë e saj nga spitali i Traumës ku ndodhet për kurim. Gruaja, ka rrëfyer momentet e tmerrit para oficerëve të policisë, kur persona të maskuar iu futën në banesë, ndërsa skena e dhunshme u zhvillua në sy të vajzës së saj 17-vjeçare.

“Ishim në dhomë. Dëgjuam një zhurmë dhe vajzën që bërtiti; “kush është aty?” Doli Petriti (burri) të shihte kur u ndesh në korridor me 2 veta të maskuar. Dukeshin të rinj. Ata bërtisnin vetëm “lekët, lekët” dhe i drejtuan pistoletën. Petriti tentoi t’i nxjerrë jashtë nga shtëpia ata e qëlluan. Kur u afrova dhe mua me qëlluan dhe ikën me vrap”, tha gruaja.

Më herët edhe vajza 17-vjeçare e çiftit ka treguar para hetuesve se ishin dy persona të armatosur dhe të maskuar ata që hynë në banesë. Ajo ka treguar se kishin planifikuar që të dilnin jashtë Tiranës, kur hynë autorët.

Ndërkohë policia dyshon se autorët janë të njohur ose të afërm të çiftit, për shkak të lëvizjes së sakta në banesë.

Grabitësit të përballur me të zotët e shtëpisë, i kanë këcënuar dhe pas rezistencës kanë qëlluar me armë zjarri, duke lënë të plagosur 61-vjeçarin Petrit Laze dhe gruan e tij Afërdita Laze.

Ngjarja tronditëse ndodhi mbrëmë në orën 21:40 minuta në rrugën ‘Njazi Meka’ në zonën e Alliasit.

Familja me origjinë nga Skrapari prej mbi 20 vitesh ishin transferuar në Tiranë dhe jetonin në katin e dytë të vilës ku ndodhi ngjarja, pasi kati i parë ishte furrë buke./b.l/noa.al/