“Zgjedhorja”/ Gjiknuri: Do punojmë me konsensus. Hajdari: Zgjidhja nuk vjen nga protestat
Transmetuar më 14-01-2020, 14:26

Në përfundim të tryezës për reformën zgjedhore, përfaqësuesi i PS në këto bisedime Damian Gjiknuri u shpreh se në vijim do të punohet me konsensus për arritjen e një marrëveshjeje, ku do të kërkohet edhe ndihma e ekspertëve të ODIHR.

“Kemi një marrëveshje mes palëve, që opozita jashtë parlamentare të përfshihet në diskutime me qëllim arritjen e një produkti të dakordësuar. Ne do përpiqemi të punojmë me konsensus me ndihmën e ODIHR, është ajo c’ka kemi nisur në komisionin e reformës zgjedhore. Duhet të kuptojmë problemet e sistemit zgjedhor, nuk ka asnjë rekomandim ndrëkombëtar, se nuk mund t’i japë kush mend Shqipërisë cfarë sistemi të ndjekë. Do  kërkojmë ekspertizë për administrimin e zgjedhjeve", u shpreh Gjiknuri.

Më tej ai theksoi se "Komisioni për reformën funksionon pasi aty bëhen të gjitha diskutimet, cdo draft miratohet në komision. Opozita ka një vend në të që nuk e ka shfrytëzuar. Gjetëm një modalitet që të jetë pjesë e punës për reformën zgjedhore. Kemi vullnet të mirë për të gjetur një formë dialogu me opozitën. Maxhoranca është e gatshme të punojë, të dëgjojë propozimet e opozitës, dhe nëse ato janë në përputhje me rekomandimet e ODIHR, do t’i pranojmë”.

Ndërsa për bashkëkryetaren e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Rudina Hajdari  ulja në tryezë, tregon se opozita jashtëparlamentare është ndërgjegjësuar se zgjidhja vjen përmes ideve e propozimeve dhe jo protestave të dhunshme. Në përfundim të takimit, ajo tha se nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj për ndryshimin e sistemit dhe për listat e hapura.

"Besoj se prezenca e PD dhe LSI në këtë tryezë tregon se kanë pranuar që rruga e duhur për të zgjidhur problemet është rruga institucionale, dhe jo e protestave e molotovëve që dëmtojnë Shqipërinë. Besoj se pranuan që rruga që do t’i jepte zgjidhje krizës politike është duke ardhur me ide dhe plane konkrete, të cilat i diskutuam sot.

Kjo do të kërkojë konsensus nga të gjitha palët, por unë dua të theksoj se vullneti i opozitës brenda parlamentit do të vazhdojë sa i takon ndryshimit të sistemit. Shqiptarët kanë nevojë që t’i kthehet sovraniteti në parlament. Shqiptarët të kenë një kod dhe jë sistem zgjedhor që i jep atyre të drejtën e lirë për të pasur një përfaqësim dinjitoz në parlament. Unë do luftoj deri në fund për këtë qëllim. Zgjodhëm rrugën e duhur, atë të institucioneve", u shpreh Hajdari./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...