Transmetuar më 10-01-2020, 09:35

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi në familje, që tronditi mbarë opinionin publik, teksa kunati akuzohet se vrau me levë dhe thikë kunatën e tij, në Paskuqan. Mes autorit të dyshuar Eredet Çapoku dhe viktimës Enkeleda Çapoku kishte prej kohësh konflikte.

Kunati sipas të dhënave policore, e përndiqte viktimën dhe i bënte foto kudo, duke ia dërguar bashkëshortit të saj në burg, pasi ky i fundit ndodhet i dënuar me 10 vite për drogë.

Gjatë një rrëfimi që nëna e viktimës ka bërë për mediat zbuloi dhe porosinë që bashkëshorti i kishte dhënë Enkeledës, teksa kjo e fundit e kishte vizituar në burg.

“Enkeledë, ruaj veten dhe gocën, se unë jam në burg, nuk kam çfarë të bëj”, i kishte thënë ai bashkëshortes së tij, teksa i kishte dërguar fotot që ia kishte çuar i vëllai.

Krim në familjen në Paskuqan ka ndodhur më datë 09.01.2020 rreth orës orës 23:40, ku Eredet Çapoku, 34 vjeç ka goditur me mjet të fortë (shkop druri) kunatën e tij, Enkeleda Çapoku, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Ngjarja ka ndodhur në banesën e viktimës, ku 30-vjeçarja është vrarë në prezencën e nënës dhe vajzës së saj.

Enkeleda Çapoku ishte e pajisur me urdhër mbrojtje nga gjykata, pasi e kishte denoncuar autorin e dyshuar të ngjarjes për veprën penale "Përndjekje".

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe ka shpallur në kërkim policor shtetasin Eredet Çapoku, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes./b.l/noa.al/