Transmetuar më 09-01-2020, 13:14

Të gjitha dyshimet lidhur me vrasjen e biznesmenit 47-vjeçar Kastriot Reçi, i ekzekutuar paraditen e 7 janarit në Rrëshen, çojnë në qitës profesionist.

Kjo pasi Reçi, i cili njihej si pronari i televizionit lokal të Lezhës “Media Plus”, u qëllua me snajper me plumb në zemër.

Mjaftoi një plumb që ti marrë jetën, për shkak të saktësisë ekstreme, çka shton dyshimet se mund të bëhet fjalë për vrasës me pagesë.

Tashmë policia po këqyr me vëmendje kamerat e sigurisë si dhe një paruke të gjetur, e cila mendohet se është përdorur nga i dyshuari për maskim.

Nga pamjet e publikuara shihet se biznesmeni zbret nga një makinë tip ‘Mercedes Benz’, dhe afrohet tek një grua e cila ka përdore një fëmijë të mitur. Teksa përshëndetet me gruan, të cilën e puth në faqe, Reçi nis të puthë dhe të përgëzojë fëmijën.

Pikërisht në këto çaste ai qëllohet një herë të vetme dhe bie përtokë, nga një largësi prej rreth 200 metra, nga kati i shtatë i një pallati.

47-vjeçari u ekzekutua të martën para lokalit të tij në Rrëshen, teksa disa orë më vonë pranë një pallati në afërsi të skenës së krimit u gjet një snajper. Viktima rezulton person me precedentë penalë në trafikun e drogës, ndërsa në vitin 2017 në Itali, i kanë vrarë vëllanë dhe pak kohë më vonë iu hoq licenca e televizionit.

Gaspër Reçi 43 vjeç, u ekzekutua me katër plumba pas shpine, në Romë të Italisë. 43-vjeçari, u vra me armë zjarri, teksa ishte duke ecur drejt banesës së tij në rrugën Simeri Crichi, në Tor Vergata.

Dyshohet se vrasja e Kastriot Reçit ka të bëjë me përplasje mes dy bandave, sa i takon territoreve të drogës. Kjo pasi në në nëntor të vitit 2016 i është gjetur një magazinë me drogë.

Magazina në fjalë u zbulua gjatë një aksioni të policisë, brenda së cilës kishte 3 ton drogë.

Gjatë këtij aksioni u arrestuan 22 persona, ndërsa Kastriot Reçi, asokohe u shpall në kërkim, por më tej duket se i zgjidhi problemet me drejtësinë. /a.y/noa.al