Transmetuar më 03-01-2020, 18:54

Me 101 vota pro, në Maqedoninë e Veriut është zgjedhur edhe qeveria e re teknike. Kabineti i Spasovski do të drejtojë vendin deri në krijimin e qeverisë së re nga Kuvendi që do të formohet nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit.

Kryeministri Zaev e kishte deponuar që më parë dorëheqjen në parlament sikundër parashihet me Marrëveshjen e Përzhinës të arritur nga katër partitë më të mëdha të vendit (VMRO, LSDM, BDI dhe PDSH) vite më parë, e cila e detyron Kryeministrin që 100 ditë para zgjedhjeve të japë dorëheqje dhe të formohet një qeveri teknike ku do të marrë pjesë edhe opozita.

Zoran Zaev u bë kryeministër pasi partia e tij formoi qeverinë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, 2016. Ai synon t’i fitojë zgjedhjet e 12 prillit me Lidhjen e tij Social Demokrate dhe përsëri ta drejtojë qeverinë e Maqedonisë së Veriut.