
Detaje të reja kanë dalë nga atentati i kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe. Mësohet se autori i dyshuar i atentatit Gëzim Saraçi nga Karbunara e Lushnjes, është shkarkuar 5 vite më parë nga Tushe.
Saraçi njihet në Lushnje si përdorues droge. Motivet e këtij krimi dyshohet se lidhen me mosmarrëveshje që kryebashkiaku Tushe ka pasur me shoferin, jashtë postit të tij, që tashmë do bëhen objekt hetimi lidhur me këtë ngjarje.
Pas atentatit ndaj kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe, ka reaguar edhe policia e shtetit, e cila njofton se po punohet për kapjen e autorit nga forcat RENEA dhe FNSH.
"Sot, rreth orës 09:00, në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Lushnjë, dyshohet se është hedhur një granatë dore dhe për pasojë është dëmtuar Kryetari i Bashkisë shtetasi F. T. dhe sekretarja e Bashkisë, shtetasja E. Q., të cilët ndodhen në spitalin e Lushnjës, nën kujdesin e mjekëve
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është ish-shoferi i Kryetarit të Bashkisë, shtetasi G. S., i cili pasi ka hedhur granatën është larguar menjëherë nga ambientet e Bashkisë Lushnjë.
Forca të shumta policie të Komisariatit të Policisë Lushnjë, të DVP Fier, Renea e FNSH e Fierit po krehin zonën, me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorit.
Grupi i posaçëm hetimor, me Specialistë nga Departamenti i Policise Kriminale ne Policine e Shtetit dhe DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes", njofton policia./b.l/noa.al/