Transmetuar më 31-12-2019, 11:52

Përsheshi me gjel deti ose kaposh është një nga recetat tradicionale për darkën e Vitit të Ri. Sa do i largohemi traditës shpesh herë, në festën e fundvitit, në qendër të tryzës shumë familje vendosin përsheshin e Vitit të Ri. Sipas çdo krahine përgatitet me përbërs të ndryshëm. Në blogun e Adda’s All, është sjellë në këtë mënyrë, siç është gatuar gjithmonë në shtëpinë e saj.

Përbërësit për përsheshin: kulaçi i Vitit të Ri me sodë buke, 200 gr arra të qëruara, 2 kokrra qepë, një tufë mëndër e freskët (ose e thatë në mungesë të saj), lëngu i pulës që do piqni, për pjesën tjetër, 1 kaposh ose gjel deti rreth 2 kg e gjysmë, kripë dhe piper i zi, 300 gr arra të qëruara, 2 feta bukë, majdanoz, pak qumësht, gjalpë në temperaturë ambient, 2 gota verë, lëng vegjetal të ngrohtë pak vaj ulliri.

Përgatitja:

Fillimisht përgatisni kulaçin me sodë buke. Kulaçin e Vitit të Ri e mbeshtjellim me beze dhe e lëmë të kullojë mënjanë. Vendosni dy fetat e bukës në pak qumësht të zbuten, i shtrydhim dhe i kalojmë në një mikser së bashku me arrat dhe majdanozin, shtoni pak kripë dhe piper të zi. Grijini mirë.

Përcëlloni mirë gjelin, thajeni me letër kuzhine nëse është akoma i njomë dhe kriposeni mjaftueshëm si jashtë dhe brenda, mbusheni me masën prej buke dhe arre që përgatitëm, qepeni daljen me spango kuzhine ose me kunja druri.

Lyeni mirë nga të gjitha anët me gjalpin e butë dhe nëse keni kohë lëreni për rreth 1 orë të pushojë në  frigorifer, nëse nuk keni kohë vendoseni të piqet në furrën e nxehur më parë në 180° për 30-40 minuta duke e spërkatur me pak vaj sipër dhe shuar me verën e bardhë kur ka filluar të marrë ngjyrë.

Pas kësaj mbulojeni me letër alumini, uleni gradacionine sobës në 140 gradë dhe lëreni të piqet për 1 orë e 30 minuta. (Mund dhe mos ta mbuloni nëse gjeli ështe i vogël.) Gjatë kësaj kohe duhet ta njomni me lëng vegjetal të ngrohtë dhe yndyrën e tij.

Nga fundi, ngrini gradacionin në 200° hiqeni letrën e aluminit dhe lëreni të theket plotësisht, lageni përseri herë pas here që mos të thahet mishi. Mblidhni lëngun e tij të gatimit dhe nëse nuk ju mjafton për të bërë përsheshin shtoni pak lëng vegjetal që përdorët për lagien e gjelit. Ndërkohë që kemi gjelin, akoma në furrë përgatisni përsheshin.

Përgatitja e përsheshit:

Thërrmoni kulaçin me duar (është e detyrueshme), grini qepen imët dhe në një enë të bollshme vendoseni të kavardiset me yndyrën e gjelit (vetëm yndyrën, jo pjesën e lëngshme) nëse nuk ju mjafton shtoni pak vaj ose gjalpë, kur qepa ka filluar të marrë ngjyrë transparente shtoni kulaçin e thërrmuar dhe skuqeni për pak minuta. Ndërkohë grini mëndrën imët dhe shtojeni te përsheshi, filloni shtoni ngadalë nga një garuzhde nga lëngu i gjelit të pjekur dhe përziejeni vashdimisht në mënyrë që mos ju ngjitet.

Kini kujdes me masën e lëngut që shtoni pasi duhet  shtuar nga pak sespe kështu përsheshi nuk do ju squllet. Vazhdoni në këtë mënyrë derisa brumi i kulaçit te jetë zbutur komplet, spërkateni akoma me mëndër, shtoni thelpinjtë e arrave, përziejeni përsëri dhe shtojeni te tava ku po piqet gjeli dhe lëreni për rreth 5 minua. Në këtë mënyrë do kini një përshesh edhe me të shkrifët. Fikni sobën dhe lëreni të pushojnë për disa minuta. Servireni të ngrohtë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd