Transmetuar më 30-12-2019, 14:05

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka ftuar sërish kreun e Vetëvendosjes për një takim. Në letrën e tij të tretë, presidenti i vendit ka thënë se me qëllim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë.

Kreu i shtetit kosovar tregon që është i hapur për krijimin e qeverisë, ndërsa kjo faktohet edhe nga ftesa e ripërsëritur që ai i ka dërguar Albin Kurtit, brenda një kohë shumë të shkurtër. Takimi parashihet të mbahet nesër në orën 10:00, në Presidencë.

“Me qëllim konsultimin për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsulativ, me datën 31 dhjetor 2019, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Dje Albin Kurti tha se Presidenti përcakton vetëm datën e konstituimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë. “Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kurti./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd