
“Kavaja dhe Lezha kërkojnë një qasje pak më ndryshe dhe do punojmë me kryebashkiakët për të ndërhyrë dhe aty”.
Është kjo fjala e Kryeministrit Edi Rama, e mbajtur ditën e sotme, në mbledhjen e tretë të Komitetit të Rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Laçi ka potencial të jashtëzakonshëm, mbledh 3 milionë turistë në vit që shkojnë në pikën e pelegrinazhit dhe të cilët e anashkalojnë komplet se nuk ka asnjë lloj kushti dhe atraksioni. Por nëse ndërhyrja do të sjellë energjinë e një transformimi, si Korça, Vlora, por edhe Tamara dhe Puka, me siguri që do i japim një mundësi të re edhe ekonomike familjeve që janë aty. E dyta qendërzimet, është e rëndësishme që ne ti bindim banorët e zonave rurale që të afrohen me njëri tjetrin, ndërsa pronën e tyre në fshat e kanë aty”, u shpreh Rama.
Në vijim shtoi se Thumana është një zonë shumë kritike nga struktura urbane dhe se me anë të ndërhyrjes mund të bëhet një pikë referimi e vogël, por e rëndësishme, duke pasur parasysh që edhe liqenin e ka afër.
Sipas tij, mashtrimi administrativ duke shënuar në listë familje që nuk kanë fare nevoje apo ata që i bien shtëpisë me vare, apo gabimi njerëzor në inventarizimin, nuk do të tolerohet.
Ai shtoi se duan që të ndërtojnë qendërza rurale, por nuk duan të ndërtohet qendra fantazmë, më shumë se çfarë është nevoja për të pasur shtëpi bosh, që i shkulin dhe i shesin dhe se organizatat do të jenin një ndihmë të madhe nëse do të angazhonin më shumë persona në këtë proces.
Rama shtoi se në mes të janarit duhet të kenë filluar thirrjet për oferta dhe këtu duhet të koordinohemi dhe se pronarë apartamentesh kanë rritur qiranë, njerëzit janë të lirë të jenë edhe peshkaqenë, por nuk duhet të na ndodhë me procesin tjetër.
“Ndërkohë që kemi 2156 banesa të mjeruara që duhet të transformohen, ky do të jetë një proces që do të na cojnë një nivel tjetër për politikat e strehimit për familjet në nevojë që janë në streha jashtë cdo standardi”, deklaroi kreu i qeverisë. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





