
Tërmeti i 26 nëntorit vazhdon të diskutohet për shkak të pasojave në ndërtesa dhe në jetë njerëzish. Partia Demokratike ka denoncuar braktisjen e shkollave në Bubq e Pezë më 700 nxënës duke thënë se janë lënë në mëshirë të fatit.
"Nuk ka patur asnjë lloj investimi dhe shikoni çfarë ka ndodhur. Shkolla është shembur, është bërë bërë jofunksion pa pritur as hetimet. Kemi dëgjuar diku nga muaji shtator ministren e Arsimit që bëri një deklaratë dhe tha, ‘Ne nuk do investojmë në shkollat që ka 7,10 apo 15 nxënës se nuk ia vlen.’ Nuk po i hy kësaj deklarate absurde sepse sipas kësaj logjike, këta 15 nxënës nuk kanë të drejtë të arsimuar.
Imagjinoni sikur tërmeti të kishte ndodhur ditën, çfarë katastrofe do të ishte. Këtu nuk kemi asnjë lloj interesimi. Kush i mori në dorëzim këto shkolla. Me qindra fëmijë kanë qenë në rrezik. Janë bërë qindra miliona euro rikonstruksione. A ka mundësi të shohim një masë konkrete nga prokuroria? Prokuroria duhet të jetë transparente. Nuk mund ti thuhet këtyre taksapaguesve thjesht ‘Ju ka shpëtuar zoti'", tha Çlirim Gjata në një video të publikuar në Facebook.
Ai iu referua shkollës së Bubqit me 280 nxënës, të cilët shkojnë në Fushë-Krujë dhe disa kthehen natën në shtëpi për shkak të orarit të vonë. Gjata denoncoi faktin që ata lihen vetëm në rrugë për të shkuar tek çadrat apo shtëpitë ku kanë familjarët.
Ndërsa Astrit Veliaj foli për shkollën e Pezës duke vënë në fokus 400 nxënësit që bëjnë shkollën në Vaqarr.
"Sigurisht, ka dalë jashtë përdorimit nga tërmeti i fundit. U bënë 31 ditë që qeveria nuk po hedh sytë nga kjo shkollë ku 400 nxënës bëjnë shkollën në Vaqarr, larg familjeve të tyre. Detyrohen të zgjohen më herët dhe të vijnë edhe më vonë nga shkolla. Me sa shohim, kjo qeveri nuk e ka me prioritet arsimin, nuk e ka zhvillimin e vendit. Çdo komb i qytetëruar në botë ka prioritet arsimin, me sa shohim këtu, me këtë qeveri prioritet janë oligarkët të cilëve nuk ua heq ato 150 mln euro e të investojë në shkolla", tha Astrit Veliaj./a.m/noa.al/