Transmetuar më 28-12-2019, 09:31

Në vitin 1992, kur Donald Trump nuk kishte lidhje me politikën dhe ishte thjesht një biznesmen i fuqishëm dhe një personazh i famshëm në Amerikë, luajti edhe rolin e tij të parë në filmin “Home Alone 2”.

Në filmin e famshëm, Trump interpretonte vetveten. Por këtë javë, kur filmi u transmetua në televizionin kanadez CBC, skena ku ai luan mungonte.

Përfaqësuesit e CBC kanë reaguar për mediat duke u shprehur se pjesa nuk është hequr nga filmi për arsye politike. Siç ndodh shpesh, filmi është rishikuar dhe është përshtatur për televizionin dhe me kohën e reklamave.

Trump ka reaguar në Twitter me shaka dhe duke thënë se fajtor për këtë vendim duhet të jetë patjetër kryeministri kanadez Justin Trudeau.

“Filmi nuk do të jetë më kurrë i njëjti (bëj shaka)”, është shprehur ai duke shtuar se Trudeau-t me siguri nuk i kanë pëlqyer vendimet që ai ka marrë në lidhje me të.