Transmetuar më 27-12-2019, 18:31

Në prag të festave të fundvitit, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, bëri thirrje që tryezat të mbushen me produkte shqiptare.

Me anë të një videomesazhi të postuar në Facebook, Kryemadhi tha se është momenti mendojmë më shumë për njëri-tjetrin. Ajo nuk hezitoi të fliste për qeverinë duke thënë se ka lënë pas dore produktet ushqimore të prodhuar nga djersa e shqiptarëve dhe kërkon ti vendosë “përballë konkurrencës sa të pandershme aq edhe antikombëtare”.

Postimi i plotë:

BLEJ SHQIP, KONSUMONI SHQIP, GËZONI SHQIP!

Të nderuar miq!

Në festat e fundvitit ashtu sikurse është traditë të gjithë do të shtrojnë tavolinën për darkën e festës.

Ndajmë gëzimin, por edhe është momenti të mendojmë shumë më shumë për njëri-tjetrin, sepse kemi nevojë si asnjëherë më parë për njeri-tjetrin.

Tavolina e festës duhet të jetë sa më shumë shqiptarë, ndaj të konsumojmë sa më shumë produkte shqiptare.

Produkte të shkëlqyera, që i prodhon djersa dhe mundi i papërshkrueshëm i mijëra shqiptarëve të lënë pasdore nga kjo qeveri, që i ka hequr çdo subvencion fermerëve dhe agropërpunuesve shqiptarë.

Tashmë përmes një politike prej shërbëtorësh të interesave të oligarkëve qeveria kërkon që ti vendosë produktet shqiptare edhe përballë konkurrencës sa të pandershme aq edhe antikombëtare.

Konsumoni shqip, konsumoni frutat, zarzavatet, bulmetrat, verën, birrën, miellin shqiptar, në ndihmë të gjithë fermerëve dhe prodhuesve të shijes së mrekullueshme shqiptare që të mbështesim fort njëri-tjetrin edhe në këto ditë festash,ashtu siç gjendemi pranë në ditë të vështira.

Gëzuar Viti e Ri jo vetëm me urimin shqip, por edhe me produktet unike shqiptare në tavolinat tona.

Blini shqip, konsumoni shqip, gëzoni shqip.

Gëzuar miq!