Transmetuar më 27-12-2019, 11:28
Foto ilustruese

Dy punonjës policie janë arrestuar nga Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të dyshuar si të implikuar në kontrabandë me mallra në Pikën e Kalimit Kufitar të Gorricës në Korçë, një tjetër është shpallur në kërkim dhe katër janë pezulluar në Gjirokastër.

SHÇBA në vijim të hetimeve për procedimin penal për kalim të mallrave kontrabandë në Pikën Kufitare të Gorricës, bëri arrestimin e Inspektor V.Ç., dhe Inspektor V.D., me detyrë ndihmës specialist/kontrollor në P.K.K-Gorricë.

Në vijim të operacionit të datës 7 dhjetor 2019, ku u sekuestrua një sasi mallrash kontrabandë dhe u arrestuan në kushtet e flagrancës tre punonjës policie, efektivë të P.K.K. Gorricë, për veprat penale të “Falsifikimit kompjuterik” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, SHÇBA vijoi hetimet dhe rezulton e provuar se kjo veprimtari e kundra-ligjshme funksiononte në formën e një mekanizmi të mirë-organizuar.

Të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me doganierë, por dhe me disa persona, në keqpërdorim të atributeve që u jepte detyra në P.K.K. Gorricë, lejonin e favorizonin futjen e automjeteve me mallra kontrabandë ose mallra, të cilat nuk lejohen të futen në Shqipëri, në këmbim të përfitimeve monetare.

Duke përmbushur rolin e tyre në këtë veprimtari të kundra-ligjshme, dy punonjësit e policisë V.Ç., dhe V.D., në cilësinë e kontrollorëve, regjistronin të dhëna të rreme në sistemin TIMS duke tjetërsuar targën dhe llojin e automjetit. Kjo me qëllim favorizimin e kontrabandës në këmbim të përfitimeve të paligjshme financiare.

Ndërkohë Drejtoria Hetimeve e SHÇBA në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të SHÇBA Vlorë-Gjirokastër ekzekutoi vendimet penale të masave të sigurimit personal ndaluese të Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për katër punonjës policie, me masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi”, të dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”:

Të pezulluarit janë nënkomisar U.Sh., me detyrë, ish-shefi i stacionit të Policisë Dropull;

Nënkomisar E.R., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dropull; Inspektor H.L., me detyrë SPZ në Stacionin e Policisë Dropull dhe Inspektor S.B., me detyrë ish-oficer i Patrullës së Përgjithshme në Stacionin e Policisë Dropull.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.G., nga Lazarati, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër ka caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg”.

Këto veprime proceduriale janë vijim i hetimeve të kryera në funksion të procedimit penal të nisur në vitin 2019, i cili bën fjalë për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e “Shpërdorim detyre”. Në datën 23 korrik 2019, në kuadër të këtij procedimi, në fshatin Hllomo, Njësia Administrative Pogon u finalizua një operacion në të cilin u asgjësuan disa bimë narkotike, të llojit kanabis.

Të dyshuarit akuzohen se kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. /a.y/noa.al